Aktuale
“Nuk do të bëhemi kurrë prindër” – Rrëfimi prekës i këngëtares Rovena Ibrahimi për sfidat e gjata dhe rrugëtimin drejt amësisë
Reklamë e Sponsorizuar
Këngëtarja e njohur Rovena Ibrahimi ka ndarë me publikun sfidat e saj pesëvjeçare për t’u bërë nënë, si dhe periudhën sfiduese të shtatzënisë, gjatë së cilës u detyrua të qëndronte për pesë muaj e shtrirë në shtrat.
E ftuar në emisionin “S’e Luan Topi”, Ibrahimi tregoi se ndërkohë që bashkëshorti i saj kishte hequr dorë nga shpresa se do të krijonin një familje, ajo ruajti një besim të palëkundur se një ditë do të mbante në krahë fëmijën e ei. Moderatorja Erjona Rusi hapi këtë temë duke e pyetur artisten për përjetimet gjatë atij pesëvjeçari përpjekjesh.
“Ka qenë shumë e vështirë, jo për mua, pasi unë i rikthehem pjesës së besimit. E kisha të ngulitur në mendje që, nëse është e shkruar të bëhem nënë, do të bëhem dhe kjo nuk kishte për të ndryshuar asnjë gjë. Kur shikoje tim shoq duke kaluar vitet, kishte humbur shpresat. Thoshte: “Nuk kemi për t’u bërë prindër”. Edhe unë vazhdoja: “Kur të kemi fëmijën tonë”. E shikoje gjithmonë e më të dorëzuar, e kishte pranuar. Ne nuk kemi pasur probleme nga vizitat që kishim bërë, ishte çdo gjë shumë okej. Ai thoshte që kjo gjë nuk do të ndodhte”, u shpreh ajo.
Më tej, këngëtarja shtoi se situata u bë edhe më e ndjeshme pas periudhës së pandemisë, kur bashkëshorti ishte pajtuar përfundimisht me idenë, megjithëse kjo nuk sillte tensione në çift. Ajo solli ndërmend momentin e bukur kur mori vesh se ishte shtatzënë, mes mosbesimit fillestar të partnerit, i cili i kërkoi të shkonte fillimisht e vetme te mjeku për t'u siguruar.
Duke folur për djalin e tyre, ajo u shpreh: “Nathaniel është vërtet ashtu siç e ka emrin, dhuratë e Zotit. Nuk kishte gëzim më të madh. Edhe dua të jap një mesazh për ato femra që dorëzohen: nuk të kushton asgjë të mbash qetësinë. Unë vazhdoja me idenë që do të vijë momenti, se gjërat janë të shkruara. Nëse do të bëhesh nënë, do të bëhesh, në të kundërt, do ta pranosh çdo gjë që të vijë nga lart”.
Ajo zbuloi gjithashtu se me bashkëshortin kishin menduar edhe opsionin e birësimit dhe ishin shprehur pro, por bindja e saj e brendshme e bëri që ta shtynte këtë ide. Përveç vështirësive emocionale, Ibrahimi tregoi se u ballafaqua edhe me një shtatzëni shumë të rrezikuar, duke u kujdesur për shëndetin e saj përmes pesë muajve në regjim shtrati, deri në ardhjen në jetë të djalit të tyre.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: