Aktuale
Hapi i madh i Kosovës drejt prodhimit ushtarak: Nga municionet e dronët te mjetet e blinduara
Reklamë e Sponsorizuar
Kosova ka ndërmarrë një hap vendimtar drejt ndërtimit të kapaciteteve të veta ushtarake, duke planifikuar prodhimin vendor të municioneve, dronëve, sistemeve elektronike dhe automjeteve të blinduara. Plani strategjik tashmë ka marrë formë përmes një drafti të koncept-dokumentit të finalizuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Kjo niciativë parashikon themelimin e Korporatës Shtetërore të Industrisë së Mbrojtjes, e cila do të shërbejë si ombrellë për ngritjen e një parku special industrial. Sipas dokumentit zyrtar, struktura e kësaj korporate do të ndahet në gjashtë divizione kryesore, ku në plan të parë vendoset ai i municioneve.
Divizioni i Municioneve parasheh prodhimin e kalibrave të vegjël dhe të artilerisë. Plani përfshin ndërtimin e një fabrike moderne në pjesën perëndimore të vendit, siç është zona e Jahocit në Gjakovë, duke aplikuar teknologji të avancuar gjermane apo turke për të nxjerrë në treg municionet e para me vulën “Made in Kosova”.
Në anën tjetër, divizioni i dytë do t'i përkushtohet automjeteve ushtarake, me fokus të veçantë te mirëmbajtja, riparimi dhe rifabrikimi i mjeteve të blinduara. Krahas tyre, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe fushës së teknologjisë ajrore pa pilot.
Sipas dokumentit, Divizioni i Sistemeve Pa Pilot (UAV) do të merret me zhvillimin dhe prodhimin e dronëve taktikë dhe pajisjeve anti-dronë. Për këtë qëllim, është paraparë themelimi i një laboratorit kombëtar të dronëve në bashkëpunim me aktorë vendorë të elektronikës e softuerëve, si dhe me institute kërkimore.
Për më tepër, Divizioni i Elektronikës & C4ISR do të shërbejë si truri dhe sistemi nervor i ushtrisë, duke u marrë me projektimin e sistemeve elektronike, komunikimit taktik, sensorëve dhe komandë-kontrollit. Kjo synon të rrisë pavarësinë teknologjike të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke ndihmuar edhe sektorin civil në telekomunikacion dhe siguri kibernetike.
Struktura e re do të përfshijë gjithashtu divizione për prodhimin e pajisjeve individuale ushtarake, si uniforma, helmeta e antiplumb, si dhe një divizion të dedikuar për menaxhimin ditor dhe sigurinë e parkut industrial. E gjithë kjo arkitekturë do të funksionojë nën mbikëqyrjen e një agjencie të re të Ministrisë së Mbrojtjes.
Për ta bërë këtë projekt të qëndrueshëm, brenda agjencisë do të veprojë Departamenti për Bashkëpunim Industrial & Partneritete. Ky departament do të ketë për detyrë të gjejë kompani private për bashkëprodhim, të tërheqë investime të huaja direkte dhe të integrojë industrinë vendore në zinxhirët ndërkombëtarë të furnizimit, ndërsa një departament tjetër do të merret ekskluzivisht me legjislacionin dhe politikat e këtij sektori.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: