Aktuale
Skënderaj i jep lamtumirën e fundit me nderime ushtarake zyrtarit të FSK-së dhe ish-luftëtarit të UÇK-së, Ali Ngucati
Reklamë e Sponsorizuar
Me ceremoni madhështore ushtarake është përcjellë sot për në banesën e fundit në fshatin Polac të Skënderajt, Ali Ngucati, zyrtar i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të FSK-së, homazhet nderuese janë zhvilluar në Shtëpinë e Kulturës në Skenderaj, ku përveç familjarëve, miqve dhe kolegëve, kanë marrë pjesë edhe numër i madh i qytetarëve, si dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas përmbylljes së homazheve, është organizuar një akademi përkujtimore, gjatë së cilës është evokuar jeta dhe vepra e tij, duke u vlerësuar lart angazhimi i tij si në periudhën e luftës çlirimtare, ashtu edhe në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të sigurisë në vend pas luftës.
Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver Cikaqi, ka mbajtur fjalën e rastit në emër të Komandantit të FSK-së dhe gjithë trupës ushtarake. Pasi u ka transmetuar ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, ai ka lartësuar përkushtimin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Ali Ngucatit për atdheun, duke u ndalur te rruga e tij ndër vite, që nga ditët e para në radhët e UÇK-së e deri te zhvillimi i ushtrisë së shtetit.
Në këtë akademi përkujtimore fjalën e morën gjithashtu nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faik Fazliu, si dhe vajza e të ndjerit, Alisa Ngucati, në emër të familjes, të cilët unanimisht e cilësuan kontributin e Aliut si shtyllë të rëndësishme si gjatë luftës ashtu edhe në fazën e shtetndërtimit të sigurisë.
Ali Ngucati ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 114 të Zonës Operative të Drenicës, ndërsa pas çlirimit ka vazhduar shërbimin në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, për të ushtruar deri në momentin e ndarjes nga jeta detyrën e zyrtarit të lartë civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se i ndjeri ka lënë pas babanë, bashkëshorten dhe dy fëmijë (një djalë dhe një vajzë), të cilët i ka edukuar me vlera të larta morale dhe me ndjenjë të fortë atdhedashurie, duke u lënë trashëgimi idealet që e udhëhoqën gjatë të gjithë jetës së tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: