Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Aktuale

Skënderaj i jep lamtumirën e fundit me nderime ushtarake zyrtarit të FSK-së dhe ish-luftëtarit të UÇK-së, Ali Ngucati

Redaksia Lajmetereja • 10-10-2026 18:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Skënderaj i jep lamtumirën e fundit me nderime ushtarake zyrtarit të FSK-së dhe ish-luftëtarit të UÇK-së, Ali Ngucati
Me ceremoni madhështore ushtarake është përcjellë sot për në banesën e fundit në fshatin Polac të Skënderajt, Ali Ngucati, zyrtar i lartë i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar të FSK-së, homazhet nderuese janë zhvilluar në Shtëpinë e Kulturës në Skenderaj, ku përveç familjarëve, miqve dhe kolegëve, kanë marrë pjesë edhe numër i madh i qytetarëve, si dhe veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas përmbylljes së homazheve, është organizuar një akademi përkujtimore, gjatë së cilës është evokuar jeta dhe vepra e tij, duke u vlerësuar lart angazhimi i tij si në periudhën e luftës çlirimtare, ashtu edhe në ngritjen dhe konsolidimin e institucioneve të sigurisë në vend pas luftës. Zëvendëskomandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjeneralmajor Enver Cikaqi, ka mbajtur fjalën e rastit në emër të Komandantit të FSK-së dhe gjithë trupës ushtarake. Pasi u ka transmetuar ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve, ai ka lartësuar përkushtimin dhe kontributin e pazëvendësueshëm të Ali Ngucatit për atdheun, duke u ndalur te rruga e tij ndër vite, që nga ditët e para në radhët e UÇK-së e deri te zhvillimi i ushtrisë së shtetit. Në këtë akademi përkujtimore fjalën e morën gjithashtu nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Fadil Nura, përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Faik Fazliu, si dhe vajza e të ndjerit, Alisa Ngucati, në emër të familjes, të cilët unanimisht e cilësuan kontributin e Aliut si shtyllë të rëndësishme si gjatë luftës ashtu edhe në fazën e shtetndërtimit të sigurisë. Ali Ngucati ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Brigadën 114 të Zonës Operative të Drenicës, ndërsa pas çlirimit ka vazhduar shërbimin në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës, për të ushtruar deri në momentin e ndarjes nga jeta detyrën e zyrtarit të lartë civil në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në njoftimin e FSK-së bëhet e ditur se i ndjeri ka lënë pas babanë, bashkëshorten dhe dy fëmijë (një djalë dhe një vajzë), të cilët i ka edukuar me vlera të larta morale dhe me ndjenjë të fortë atdhedashurie, duke u lënë trashëgimi idealet që e udhëhoqën gjatë të gjithë jetës së tij.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar