Sport
Kryeqytetasit synojnë vazhdimësinë në Shkodër, Daja: Sfilitja e verës dhe respekti maksimal për Vllazninë
Reklamë e Sponsorizuar
Kampionati shqiptar i futbollit “Abissnet Superiores” i rikthehet fushës së blertë me një nga duelet më interesante të javës së gjashtë, ku Vllaznia do të presë Dinamon në stadiumin “Loro Boriçi”, të shtunën në orën 18:30. Në prag të kësaj përballjeje të rëndësishme, trajner i Dinamos, Ilir Daja, ka dalë në një konferencë për shtyp për të ndarë pritshmëritë e skuadrës së tij.
Duke analizuar ndërprerjen e kampionatit, kreu i stambit bardheblu pranoi se ajo kishte dy anët e medaljes. Nga njëra anë, ndërprerja erdhi në një moment optimal rezultatesh dhe loje të mirë për skuadrën, ndërsa nga ana tjetër, ajo ishte e domosdoshme për të karikuar bateritë, pas ngarkesës së madhe fizike gjatë verës për shkak të paraqitjeve në kualifikueset e Conference League. Megjithatë, Daja theksoi se gjatë kësaj kohe grupi nuk ka qenë i plotë, pasi Qefalija, Aliji dhe Berisha kanë qenë të angazhuar me ekipet kombëtare, kurse disa futbollistë të tjerë janë shqetësuar nga dëmtimet.
Duke folur për sfidën e radhës ndaj shkodranëve, tekniku i njohur kërkoi përqendrim maksimal, pavarësisht pozicionit aktuale në tabelë të kundërshtarit. Sipas tij, Vllaznia nuk e meriton vendin që mban, pasi ka bërë paraqitje të mira në këtë fillim sezoni. Daja shtoi se e ka analizuar me kujdes kundërshtarin, pasi shkodranët janë përballur gjithmonë me të njëjtët rivalë një javë para tyre.
Në aspektin e lojës, trajneri kërkoi nga të besuarit e tij pragmatizëm dhe dhënien e 100-përqindshit në një transfertë tradicionalisht spektakolare, por shumë të vështirë si ajo e Shkodrës. Dinamovitët do të duhet të bëjnë llogaritë pa disa mungesa, ku më kryesorja mbetet ajo e kapitenit Bruno Dita, një element kyç për grupin. Megjithatë, Daja u shpreh i bindur se përmes organikës së zgjeruar këtë sezon, stafi do të gjejë alternativat e duhura për të zëvendësuar mungesat.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: