Sport
Ekspertët bëjnë thirrje në Kongresin Ndërkombëtar: Kujdesi për shëndetin mendor të mos mbetet vetëm në kalendar
Reklamë e Sponsorizuar
Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, edicioni i tetë i Kongresit Ndërkombëtar, me fokus kryesor “Shëndeti mendor: sfidat dhe perspektivat e së ardhmes”, ka tubuar ekspertë të fushës të cilët kanë ngritur alarmin për nevojën e ngutshme që mbështetja psikologjike të shndërrohet në një angazhim të përhershëm institucional dhe shoqëror, e jo të kufizohet vetëm në data të caktuara. Pjesëmarrësit në këtë ngjarje u ndalën gjerësisht te sfidat bashkëkohore si depresioni, ankthi, varësitë dhe pasiguria sociale, duke kërkuar një strategji gjithëpërfshirëse, luftë pa kompromis ndaj stigmatizimit dhe investime më të larta në parandalim dhe barazi në qasjen e shërbimeve.
Specialisti i psikologjisë klinike, Ilir Havolli, gjatë fjalës së tij ka vënë inatin te fakti se mirëqenia mendore është shtyllë e pandashme e shëndetit të njeriut dhe kusht kyç për cilësinë e jetës. Ai bëri thirrje për një përgjegjësi kolektive për të thyer tabutë dhe paragjykimet që vazhdojnë ta rrethojnë këtë fushë.
“Shëndeti mendor është pjesë e pandashme e shëndetit të përgjithshëm, dhe ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës, megjithatë ende përballemi me paragjykime, stigmatizime, vështirësi në qasje ndaj shërbimeve personale dhe për këtë arsye kemi përgjegjësi të përbashkët të investojmë më shumë në parandalim, identifikim, edukim dhe ofrim të shërbimeve cilësore”, u shpreh Havolli, duke shtuar se misioni ynë shtrihet përtej trajtimit të rasteve, duke krijuar një ambient ku secili gjen mbështetje dhe jeton me dinjitet. “Ekziston një e vërtetë që nuk mund ta mohojmë asnjëherë: vazhdimisht nuk mund ta shohim dhimbjen tek një njeri, por kjo nuk do të thotë se ajo nuk ekziston”, shtoi ai.
Nga ana e tij, neuropsikiatri Ferid Agani theksoi se Dita Botërore e Shëndetit Mendor duhet të shërbejë si një kambanë zgjimi dhe thirrje për veprime konkrete në terren, duke kërkuar identifikim të hershëm të çrregullimeve dhe shërbime të bazuara në dëshmi shkencore.
“Dita Botërore e Shëndetit Mendor na kujton çdo vit se nuk mund të ketë shëndet të plotë pa shëndet mendor. Por ajo duhet të jetë më shumë se një ditë ndërgjegjësimi; duhet të jetë një thirrje për veprim, për parandalim edhe më të fuqishëm: njohje më të hershme të çrregullimeve, qasje më të barabartë në shërbime, trajtim të bazuar në evidencë dhe mbrojtje të dinjitetit e të drejtave të çdo personi që përjeton vuajtje psikike”, deklaroi Agani. Ai përmendi gjithashtu se faktorët si polarizimi, vetmia, migrimi dhe pabarazitë po rëndojnë dukshëm mbi psikikën e qytetarëve.
Duke analizuar ndikimin e gjerë të këtyre dukurive, Agani theksoi se pasojat e traumave, ankthi dhe dhuna nuk cenojnë vetëm individin, por tronditin themelet e familjes dhe të mbarë komunitetit.
“Ankthi, depresioni, pasojat e traumës, varësitë, dhuna dhe çrregullimet e tjera mendore prekin jo vetëm individin, por edhe familjen, komunitetin dhe e cenojnë zhvillimin e shoqërisë në përgjithësi”, vlerësoi ai.
Ndërkaq, Donika Shahini-Lami, e cila udhëheq Zyrën e Psikologëve, Logopedëve dhe Ergoterapeutëve në kuadër të Odës së Infermierëve të Kosovës, vlerësoi lart punën dhe hulumtimet e prezantuara në kongres, duke i quajtur ato dëshmi të qarta të angazhimit profesional për t'i dalë në ndihmë qytetarëve në nevojë.
“Po ndihem mirë se është bërë punë e jashtëzakonshme, mirëpo kur po lexoj tema konkrete, kur po lexoj hulumtime konkrete, po vazhdojmë të punojmë drejt për t'ju dalë ndihmë njerëzve. Nevoja është e jashtëzakonshme, një vendim politik, një vendim i ditëve të fundit na tregoi se sa fragjil mund të jetë shëndeti mendor edhe tek ne, që e punojmë këtë profesion, ndër vite e lëre më”, u shpreh ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: