Sport
Talenti kuqezi shkëlqen në Itali, mediat italiane i thurin elozhe pas vendimit për Juventusin
Reklamë e Sponsorizuar
Arman Durmishi ka rrëmbyer vëmendjen në futbollin italian, duke u shndërruar në një nga talentët më premtues për të ardhmen. Sulmuesi, i cili luan me kombëtaren shqiptare, po shkëlqen në radhët e të rinjve të Juventusit, duke kaluar me hapa të shpejtë fazat e rritjes sportive dhe duke u vlerësuar nga ekspertët italianë si një kandidat serioz për të bërë hapin e madh drejt skuadrës së parë shumë shpejt.
E përditshmja e njohur italiane “Gazzetta Dello Sport” i ka kushtuar një artikull të posaçëm pesë lojtarëve të “Next Gen”, ekipi U23 i Juventusit, që premtojnë shpërthim në nivelet e larta, dhe Durmishi është përfshirë mes tyre. SAKAQ, gjatë kësaj pauze kombëtaresh, sulmuesi i ri ka vendosur të refuzojë ftesën e Shqipërisë U21, duke preferuar të qëndrojë në Torino për t'iu përkushtuar klubit të tij, pasi Juventus Next Gen vijon angazhimet zyrtare në Serinë C.
“Rëndësia e respektimit të etapave dhe kohës së zhvillimit vihet qartë në pah nga rritja e Durmishit, një sulmues i lindur në vitin 2008, i cili vitin e kaluar po përpiqej të siguronte hapësirë në skuadrën “Primavera””, shkruan e përditshmja italiane në shkrimin e saj.
Në vijim, gazeta shton se falë qëndrueshmërisë së treguar në seancat stërvitjore dhe në ndeshje, ai tashmë është bërë pjesë e grupit të ekipit të parë përmes skuadrës “Next Gen”.
“Gjatë pjesës së parë të sezonit, ai shfaqi rritje të ndjeshme në aspektin fizik, teknik dhe taktik, me një tendencë që vetëm mund të përmirësohet më tej me vazhdimin e zhvillimit të ndeshjeve mes profesionistëve. Ka kaluar shumë kohë që kur Juventusi nuk ka nxjerrë nga radhët e veta një qendërsulmues të nivelit të lartë”, përfundon vlerësimi i medias italiane për talentin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: