Kronikë
Mandati i Speciales në Kushtetuese? Avokati i Popullit po shqyrton kërkesën e shoqërisë civile për ish-krerët e UÇK-së
Reklamë e Sponsorizuar
Institucioni i Avokatit të Popullit, i udhëhequr nga Naim Qelaj, ka nisur analizimin e kërkesës së parashtruar nga organizatat e shoqërisë civile, veprimtarët e të drejtave të njeriut dhe intelektualët. Kjo nismë synon dërgimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar nëse trupi gjykues në Hagë ka tejkaluar kompetencat e tij gjatë procesit ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një prononcimi për mediat, Qelaj sqaroi se është ende herët për të pasur një qëndrim përfundimtar, por konfirmoi se çdo hap do të ndërmerret strikt brenda mandatit të tij ligjor e kushtetues, duke pasur në fokus mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe interesin e drejtësisë.
“Para pak ditësh kemi pranuar një kërkesë nga një numër i madh i organizatave të shoqërisë civile, intelektualëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. E kemi shqyrtuar dhe analizuar atë, si dhe kemi zhvilluar një takim për të diskutuar drejtpërdrejt shqetësimet e ngritura. Aktualisht jemi në fazën e vlerësimit. Si Avokat i Popullit, veproj gjithmonë brenda kompetencave që më jep ligji dhe Kushtetuta, me kujdes të veçantë që të drejtat e njeriut të marrin epërsi. Mendoj se është një fazë e hershme për të përcaktuar qëndrimin tim, mirëpo kur bëhet fjalë për interesin e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave të njeriut, jam i gatshëm të veproj”, deklaroi Qelaj.
Kreu i institucionit foli edhe për gjetjet e raportit të publikuar lidhur me procedurat në Dhomat e Specializuara, duke nëvizuar se misioni i tij nuk është të gjykojë vendimet e trupit gjykues, por të garantojë respektimin e standardeve për një proces të drejtë dhe të paanshëm.
“Avokati i Popullit nuk jep vlerësime për aktgjykimet ose vendimmarrjen e gjykatave të çfarëdo niveli, përfshirë edhe Dhomat e Specializuara. Raporti ynë përqendrohet në vetë ecurinë e procesit dhe garantimin e standardeve të një gjykimi të drejtë, të cilat zbatohen në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Në atë dokument kemi konstatuar shqetësime me rëndësi që lidhen me funksionimin e kësaj gjykate, si mungesa e transparencës, mungesa e llogaridhënies dhe fakti që ajo nuk lidhet me asnjë segment të sistemit të drejtësisë apo të shtetit të Kosovës”, u shpreh ai.
Në përmbyllje, Qelaj nënvizoi disa nga shkeljet kryesore të evidentuara nga institucioni që ai drejton, ku veçohen kohëzgjatja e tepruar e paraburgimit dhe trajtimi i provave që rrjedhin nga Serbia.
“Kemi evidentuar faktin se paraburgimi ka zgjatur përtej çdo standardi të përcaktuar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, shqetësim i madh mbetet administrimi i provave të marra nga Serbia pa ndonjë filtër verifikimi, duke mos marrë parasysh që ky shtet mban qëndrime të hapura armiqësore ndaj Kosovës dhe veçanërisht ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish-udhëheqësit e së cilës gjenden sot në bankën e të akuzuarve në Hagë”, përfundoi Avokati i Popullit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: