Sport
Eksplodon vlera e mesfushorit të Egnatias që dëshiron kuqezinjtë, “Transfermarkt” përditëson shifrat në Superiore
Reklamë e Sponsorizuar
Platforma prestigjioze ndërkombëtare e specializuar në vlerësimin e futbollistëve, “Transfermarkt”, ka publikuar këtë të martë përditësimin e fundit për çmimet në treg të lojtarëve që garojnë në Abissnet Superiore, duke u bazuar te rendimenti dhe paraqitjet e tyre në fushën e blertë.
Në qendër të vëmendjes është vendosur Alessandro Albanese. Mesfushori i Egnatias ka regjistruar një hov të ndjeshëm në treg, teksa vlera e tij e kartonit ka kapur shifrën e 850 mijë eurove. Kujtojmë se vetëm pak javë më parë, lojtari me origjinë belge bëri bujë me deklaratën e tij, ku shprehu hapur ambicjen për të veshur fanellën e Kombëtares shqiptare në të ardhmen.
Lëvizje pozitive në treg ka njohur edhe talenti i Dinamos, Klevi Qefalija, i cili kujtohet për debutimin e tij me fanellën kuqezi në triumfin 0-3 kundër San Marinos. Mesfushori që gëzon besimin e trajnerit Ilir Daja vlerësohet tashmë në kuotën e 600 mijë eurove.
Ndërkohë, sa i përket repartit defensiv, mbrojtësi i Bylisit, Fabjan Përndreca, ka arritur një vlerë prej 500 mijë eurosh në tregun e transferimeve.
Rritje të ndéjshme të kuotave kanë shënuar gjithashtu Malomo i Dinamos, i cili kap vlerën e 500 mijë eurove, si dhe mbrojtësi i Egnatias, Eljon Sota, kartoni i të cilit tashmë llogaritet në 450 mijë euro.
Në krahun tjetër, ky përditësim ka sjellë ulje të vlerave për disa prej lojtarëve të kampionatit, mes të cilëve veçohen portieri i Teutës, Paul Bernardoni, dhe Olsi Myrta i Laçit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: