Sport
Goditet rrjeti ndërkombëtar i trafikut të drogës në Greqi: Sekuestrohen qindra kilogramë lëndë narkotike, në pranga dy shqiptarë dhe një grek
Reklamë e Sponsorizuar
Policia greke ka ndërmarrë një operacion të gjerë antidrogë ditën e mërkurë, më 7 tetor 2026, në disa zona të ndryshme të kryeqytetit Athinë, duke çuar në sekuestrimin e një sasie masive lëndësh narkotike dhe në arrestimin e tre personave, ku dy prej tyre janë shtetas shqiptarë dhe njëri grek. Sipas autoriteteve, njëri nga shqiptarët e prangosur ka një të shkuar kriminale të ngarkuar, pasi rezulton i përfshirë në vepra penale të rënda, përfshirë edhe akuzën për vrasje.
Të arrestuarit janë dy shtetas shqiptarë të moshës 44 dhe 23 vjeç, si dhe një 29-vjeçar me shtetësi greke. Ndaj tyre rëndojnë akuza të rënda penale që përfshijnë blerjen, posedimin, trafikimin e lëndëve narkotike, si dhe veprën penale të kundërshtimit dhe dhunës ndaj efektivëve të policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Operacioni i suksesshëm erdhi si rezultat i një puna intensive hetimore, përdorimit të inteligjencës policore, veprimeve të shpejta në terren dhe verifikimeve të kryqëzuara të profileve të autorëve.
Gjatë kontrolleve në një zonë të Athinës Verilindore, autoritetet kapën 44-vjeçarin shqiptar, të cilit iu sekuestruan mbi 3 kilogramë kokainë me qëllim shpërndarjen. Ndërkohë, në një lagje të Athinës Perëndimore, me mbështetjen e efektivëve të forcave “DIAS”, u lokalizua 29-vjeçari grek. Gjatë kontrollit të ushtruar në bagazhin e automjetit të tij, u gjetën rreth 11 kilogramë marijuanë e llojit SKUNK dhe afër 4 kilogramë hashash i njohur si “çokollatë”.
Nga zgjerimi i hetimeve u zbulua se e gjithë kjo sasi droge ishte siguruar nga 23-vjeçari shqiptar, i cili dyshohet se ka vepruar si furnizor i dy të arrestuarve të parë, nën urdhrat e një personi tjetër ende të paidentifikuar. Policia ushtroi më pas një kontroll në një banesë të marrë me qira nga 6 deri më 13 tetor në zonën e Artemidës, e cila shërbente si bazë për fshehjen e lëndëve narkotike.
Aty blutë e Athinës sekuestruan një arsenal të vërtetë droge, ku përfshiheshin mbi 32 kilogramë kokainë, rreth 246 kilogramë marijuanë SKUNK dhe mbi 51 kilogramë hashash “çokollatë”. Gjatë ndërhyrjes për kontrollin e kësaj banese, 23-vjeçari shqiptar ka shfaqur rezistencë të dhunshme, duke shtyrë e goditur efektivët e policisë.
Në kuadër të të njëjtit operacion, trupa speciale nga Nëndrejtoria e Inteligjencës dhe Veprimeve Speciale kryen kontrolle shtesë në banesat e të dyshuarve të tjerë, ku u zbuluan sasi të reja substancash të ndaluara.
Në total, bilanci përfundimtar i operacionit të koduar regjistroi sekuestrimin e 35.4 kg kokainë, mbi 256 kg marijuanë, rreth 55.5 kg hashash “çokollatë”, si dhe 170 euro, automjete private, telefona celularë, karta memorieje, doreza, paketime najloni dhe çelësa.
Një detaj i pazakontë që tërhoqi vëmendjen e grupit hetimor dhe prokurorëve ishte fakti se paketat e hashashit “çokollatë” mbanin të stampuara fotografi të figurave të njohura botërore, si Presidenti i SHBA-së Donald Trump, lideri rus Vladimir Putin, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, “mbreti i kokainës” Pablo Escobar, si dhe logoja e një marke të njohur këpucësh.
Sakaq, dosja e të arrestuarit 44-vjeçar dëshmon se ai është një emër i njohur për drejtësinë greke, pasi në të kaluarën është ndjekur penalisht për krime të rënda si vrasje, grabitje, vjedhje, falsifikim dokumentesh, si dhe për shkelje të legjislacionit për armët dhe narkotikët.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: