Sport
Uashingtoni godet Gjykatën e Hagës me sanksione të rënda, Rubio paralajmëron paralizë totale
Reklamë e Sponsorizuar
Administrata e udhëhequr nga presidenti amerikan, Donald Trump, ka ndërmarrë masa ndëshkuese të reja ndaj Gjykatës Penale Ndërkombëtare (GJPN), duke sinjalizuar kufizim drastik të operacioneve të këtij mekanizmi ndërkombëtar të drejtësisë.
Ky vendim u zyrtarizua të premten dhe dëshmon një ashpërsim të qartë të qëndrimit të Uashingtonit ndaj institucionit gjyqësor, i cili është vënë në shënjestër nga Shtëpia e Bardhë për shkak të hetimeve dhe procedurave të hapura ndaj zyrtarëve nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, theksoi se kreu i shtetit amerikan nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që Gjykata Penale Ndërkombëtare të ndjekë penalisht qytetarët e Shteteve të Bashkuara.
“Do t’i ndalojmë transaksionet me këtë gjykatë që vepron jashtë rregullave, do t’ia heqim burimet dhe do ta paralizojmë aftësinë e saj për të funksionuar”, deklaroi Rubio.
Këto sanksione të reja rrezikojnë të prekin jo vetëm stafin zyrtar të gjykatës, por edhe bizneset dhe kompanitë që bashkëpunojnë me të, duke përfshirë sektorin e teknologjisë, sigurimet dhe shërbimet financiare.
Në krahun tjetër, zëvendësprokurorja e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, Nazhat Shameem Khan, i ka cilësuar të papranueshme masat e ndërmarra nga SHBA-ja, duke vlerësuar se ato synojnë drejtpërdrejt minimin e ligjit ndërkombëtar dhe autonomisë së një organi gjyqësor.
Ajo shtoi se institucioni do të vijojë pa u ndalur hetimet, çështjet dhe procedimet e tjera penale, pavarësisht presionit të ushtruar.
Tensionet mes Uashingtonit dhe tribunalit u rritën ndjeshëm pas urdhër-arsteve të lëshuara ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës.
Po ashtu, autoritetet amerikane kanë kundërshtuar më parë edhe hetimet e nisura nga gjykata mbi veprimet e ushtarakëve amerikanë në Afganistan.
Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila e ka nisur veprimtarinë në vitin 2002, ka për detyrë të hetojë dhe gjykojë individët përgjegjës për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë pjesë në këtë traktat.
Në ndërkohë, drejtuesit e gjykatës po analizojnë hapa konkretë për të zbutur pasojat e sanksioneve, duke përfshirë zëvendësimin e sistemeve teknologjike dhe gjetjen e alternativave për transaksionet bankare.
Kjo përplasje e fundit ngre pikëpyetje serioze rreth ndikimit që politika mund të ketë mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe kapacitetin e gjykatave për të vepruar në mënyrë të pavarur.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: