Politikë
Skandali në Berlin: Pjesëmarrja e ish-kancelarit Schröder në ditëlindjen e Putinit ndez reagime të ashpra
Reklamë e Sponsorizuar
Pjesëmarrja e ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder, 82 vjeç, në kremtimin e 74-vjetorit të lindjes së presidentit rus Vladimir Putin, ka ngritur valë indinjate dhe ka shkaktuar reagime të rrepta nga qeveria aktuale e Gjermanisë.
Kancelari gjerman Friedrich Merz ndihet "thellësisht i tronditur" nga ky veprim, bëri të ditur zëdhënësi i tij zyrtar.
"Putin mban përgjegjësinë e vetme për luftën në Ukrainë. Urdhrat e tij po shkaktojnë vuajtje të mëdha, viktima civile, ndarje familjesh, si dhe të vdekur e të plagosur," u shpreh zëdhënësi, duke shtuar se Merz "e konsideron krejtësisht imorale pjesëmarrjen e zotit Schröder në një festë të tillë".
Schröder, i cili ka udhëhequr ekzekutivin gjerman nga viti 1998 deri në vitin 2005, është përballur vazhdimisht me kritika të forta brenda dhe jashtë vendit për shkak të aleancave të tij me oligarkinë ruse të biznesit dhe me vetë Vladimir Putinin. Ai ka zgjedhur t'i mbajë të pandërprera këto lidhje edhe pas nisjes së agresionit ushtarak rus në Ukrainë më 2022 dhe vendosjes së sanksioneve perëndimore.
Prgjatë dy dekadave të fundit, ish-kreu i qeverisë gjermane ka ushtruar funksione kyçe në korporata të fuqishme ruse. Menjëherë pas largimit nga pushteti, ai mori drejtimin e komitetit të aksionarëve për "Nord Stream", gazsjellësi i Detit Baltik nën kontrollin e Gazpromit, një projekt për të cilin Schröder ishte angazhuar fuqishëm gjatë mandatit të tij.
Më pas, ai ka mbajtur pozicione drejtuese edhe te gjiganti rus i naftës, Rosneft. Ndërkohë, javën e shkuar, Schröder iu bashkua bordit mbikëqyrës të rrjetit rus të shitjeve me pakicë "Hyperglobus", kompani kjo e cila funksionon si degë e grupit gjerman "Globus Holding" dhe administron mbi 20 supermarkete në territorin rus.
Kujtojmë se në fillim të këtij viti, kreu i Kremlinit deklaroi publikisht se do të preferonte që marrëveshjet e reja të sigurisë në Evropë t'i negocionte pikërisht me Schröder. Kjo ide u hodh poshtë kategorikisht dhe menjëherë si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe nga kabineti qeverisës i Merz.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: