Politikë
Gjuha e urrejtjes e Vuçiqit ndaj shqiptarëve dhe Shaip Kamberit, reagon ashpër Ragmi Mustafi
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik (PVD), Ragmi Mustafi, ka ngritur zërin përmes një reagimi të ashpër ndaj deklaratave të bëra nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një paraqitjeje në televizionin Informer, ku në shënjestër ishin deputeti shqiptar Shaip Kamberi dhe bashkimi politik i shqiptarëve.
Sipas Mustafit, kreu i shtetit serb tenton ta paraqesë bashkimin politik të shqiptarëve si një komplot të “armiqve të Serbisë”, ndërkohë që për deputetin Shaip Kamberi ka përdorur tone fyese, duke e etiketuar si “më të keqin dhe më të ligun ndër ta”.
Në vijim, po ju sjellim të plotë reagimin e tij të ndarë në rrjetet sociale:
Dëgjojeni gjuhën e Aleksandër Vuçiqit në TV Informer ndaj Shaip Kamberit dhe shqiptarëve.
Bashkimin politik të shqiptarëve e paraqet si vepër të “armiqve të Serbisë”, siç e përmbledh Bujanovačke, ndërsa Shaip Kamberin e quan “më të keqin dhe më të ligun ndër ta”.
Ai pretendon se bashkimi synon ngritjen e çështjes së Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë. Në këtë kontekst sulmon edhe kongresmenin amerikan Joe Wilson, duke e etiketuar si “të paguar” të shqiptarëve. Angazhimin me përfaqësues amerikanë, evropianë dhe diplomatë e paraqet si veprim kundër Serbisë. Dhe e përmbyll: “Nuk do t’ua lejoj.”
Kjo gjuhë ushqen urrejtjen dhe krijon terren për frikësim. Përfaqësimin demokratik dhe avokimin ndërkombëtar për të drejtat tona përpiqet t’i trajtojë si kërcënim. Po, çështjen e Luginës së Preshevës do ta ngremë në Uashington, në Bruksel dhe kudo ku mbrohen të drejtat e njeriut. Do të kërkojmë mbështetje për barazi, përfaqësim dhe zbatimin e zotimeve të shtetit ndaj shqiptarëve. Bashkëpunimi me partnerët amerikanë dhe evropianë është pjesë e këtij angazhimi demokratik.
Z. Vuçiq shqiptarët kanë të drejtë të bashkohen, të përfaqësohen dhe të flasin për padrejtësitë që përjetojnë. Për këtë nuk u duhet leja jote.
Qëndroj përkrah Shaip Kamberit dhe "Koalicionit Shqiptar" si dhe të drejtës sonë për përfaqësim publik të lirë e dinjitoz. Barazia nuk është armiqësi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: