Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Kronikë

Prapaskenat e zgjedhjes së Shiroka-Pulës: Si u siguruan 81 votat dhe debati kushtetues për afatet e mesnatës

Redaksia Lajmetereja • 08-10-2026 13:42
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Prapaskenat e zgjedhjes së Shiroka-Pulës: Si u siguruan 81 votat dhe debati kushtetues për afatet e mesnatës
Zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit me 81 vota pro ka rikthyer në vëmendje diskutimet e zjarrmta juridike lidhur me legjitimitetin e procesit zgjedhor, i cili nisi pak para se të shënonte mesnata dhe përfundoi vetëm pak minuta pasi afati kishte skaduar zyrtarisht. Lidhur me këtë situatë ka ofruar analizën e tij publicisti Gëzim Mekuli, i cili vlerëson se ngjarja nuk mund të matet thjesht me akprat e orës dhe kalimin mekanik të kufirit kohor të orës 00:00. “Në një shtet demokratik, Kushtetuta nuk mund të anashkalohet thjesht me arsyetimin e ‘interesit kombëtar’. Ajo që ekziston në teorinë kushtetuese është shumë më interesante: doktrina e domosdoshmërisë, regjimet kushtetuese të emergjencës, parimi i vazhdimësisë së shtetit dhe interpretimi funksional i normave kushtetuese,” ka deklaruar Mekuli. Sipas tij, rasti i Justina Shiroka-Pulës mbështetet edhe në mungesën e një konsensusi absolut se ka ndodhur ndonjë shkelje e ligjit suprem. Ai ka sjellë në vëmendje qëndrimin e ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili ka theksuar se fakti që procedura filloi brenda afatit dhe përfundoi pak minuta pas mesnatës nuk përbën domosdoshmërisht shkelje, duke e cilësuar këtë si një argument mjaft të fortë juridik. Publicisti shton se shkenca kushtetuese bën një ndarje të qartë midis zbatimit të ngurtë të orëve dhe domosdoshmërisë për të garantuar mbarëvajtjen dhe funksionimin e institucioneve të shtetit. “Në teorinë kushtetuese ekziston një dallim midis ‘respektimit mekanik të një afati dhe ruajtjes së funksionit të shtetit’. Kushtetutat moderne kanë pikërisht për këtë arsye mekanizma emergjence,” shton ai, duke përmendur se një pjesë e madhe e kushtetutave në botë përmbajnë dispozita për situata krize për të shmangur përplasjet mes procedurave dhe mbijetesës institucionale. Si shembull, ai ka përmendur nenin 16 të Kushtetutës së Francës, i cili i jep kompetenca të jashtëzakonshme presidentit në raste kërcënimesh serioze ndaj vendit, ndonëse ato shoqërohen gjithmonë me filtra dhe kufizime të rrepta kontrolli. Mekuli insiston se debati nuk duhet të ngushtohet vetëm te pyetja se kur ka kaluar ora 00:00, pasi demokracia e mirëfilltë kërkon të dihet nëse është arritur qëllimi i normës dhe a ka pasur funksionalitet institucional apo thjesht një vonesë teknike. “Demokracia moderne nuk funksionon me formulën: ‘Një minutë pas afatit = automatikisht shteti bie’. Demokracia moderne pyet edhe: Çfarë synonte norma? A u realizua qëllimi i saj? A u ruajt funksionimi i institucioneve? A pati abuzim apo thjesht një tejkalim teknik?” – shton ai, duke kujtuar se Kuvendi nuk e ndërpreu seancën dhe votimi u mbyll me sukses me 81 vota. Për këtë arsye, ai sugjeron që debati thelbësor duhet të përqendrohet te pyetja nëse procedura e nisur brenda orarit u zhvillua pa ndërprerje dhe nëse u cënua ndonjë garanci fondamentale. Në fund, Mekuli ka prekur edhe konceptin e “domosdoshmërisë”, duke sqaruar se në shkencat juridike ajo nuk nënkupton kurrsesi mundësinë që pushteti të shkelë Kushtetutën sipas dëshirës, por mbetet një instrument interpretimi në rrethana specifike shtetërore.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar