Politikë
Mbi 800 milionë euro detyrime ndaj ATK-së, drejtori Hyseni flet për reformat dhe sfidat me stafin
Reklamë e Sponsorizuar
Administrata Tatimore e Kosovës ka ndërmarrë hapa konkretë për të decentralizuar procesin e mbledhjes së detyrimeve financiare, duke e shpërndarë këtë kompetencë nga një drejtor i vetëm në 12 përgjegjës rajonalë në mbarë vendin.
I ftuar në podcastin “Ekonomia pa filtra”, drejtori i ATK-së, Mentor Hyseni, theksoi se procesi i digjitalizimit dhe arkaizimi i borxheve mbeten ndër sfidat kryesore të këtij institucioni, të cilat megjithatë mbeten të menaxhueshme. Lidhur me detyrimet tatimore, ai bëri të ditur se shuma totale e akumuluar që nga themelimi i ATK-së arrin në rreth 800 milionë euro, prej të cilave afërsisht 650 milionë euro llogariten si të mbledhshme.
“Po borxhet tatimore, e kam thënë edhe nëpër shumë intervista, është kryesisht një prej sfidave kryesore. Deri më tash ne i kemi diku rreth 800 milionëve borxhe që ATK-së ia kanë tatimpaguesit. Mirëpo ky 800 milionëshi është që prej kohës kur është themeluar ATK-ja. Sot me ligj, pas më shumë se 10 viteve konsiderohet plakja e borxheve dhe ATK-ja nuk ka të drejtë me i lyp vetëm në rastet e veçanta e ndërmarrjeve publike që nuk respektohet ky kriter. Sido që të jetë, janë diku borxhi i mbledhshëm është diku rreth 650 milionë. Ky vit është ndoshta viti që mbas 27 viteve për herë të parë kanë filluar borxhet me ra, për shkak të kësaj reformës që e kemi bërë. Diku 40 për qind kemi inkasuar më shumë nga borxhet, ose 65 për qind kemi trajtuar lëndë më shumë se periudha e njëjtë e vitit të kaluar sa i përket borxheve”, nënvizoi Hyseni.
Duke trajtuar çështjen e përgjegjësisë institucionale, kreu i ATK-së shtoi se shpërndarja e detyrave nëpër rajone do të rrisë efikasitetin dhe llogaridhënien në terren.
“Përveç sfidës së punëtorëve, dy janë sfidat që ne po mendojmë që janë të kalueshme. Janë kryesisht pjesa e digjitalizimit edhe mbledhja e borxheve. Në pjesën e mbledhjes së borxheve së fundmi kemi bërë një reformë, ku e kemi decentralizuar pjesën e përgjegjësisë. Nga një drejtor sa ka qenë përgjegjës për mbledhjen e borxheve e kemi decentralizuar në 12 sosh krejt. I kemi dërgu nëpër regjione ku kemi thënë regjionet që janë të obliguara me shkruar ndëshkimin ose dënimin tatimor, do të jenë të obliguara edhe me mbledh atë. Kjo na ndihmon në dy aspekte, domethënë me shpërnda pak përgjegjësinë, edhe me ngrit mandej nivelin e përgjegjësisë te qato njerëz që shkruajnë dënime ose ngarkesa tatimore për tatimpaguesit, ata do e dinë që vetë do të duhet me i mbledh”, u shpreh ai.
Megjithëse institucioni përballet me mungesën e rreth 40 punonjësve si pasojë e pensionimeve dhe largimeve, Hyseni konfirmoi se aktivitetet kontrolluese dhe terreni kanë shënuar rritje të ndjeshme. Krahasuar me periudhën e kaluar, kontrollet janë shtuar për 35 për qind, ndërsa vizitat te bizneset janë rritur për afro 40 për qind, duke arritur në rreth 1,350 kontrolle dhe 22,000 vizita tatimore.
Në fund të prononcimit të tij, Hyseni tregoi një qasje vetëkritike ndaj performancës së përgjithshme, duke i vlerësuar punët e deritanishme të ATK-së me notën 7.
“Publiku ish dashtë me vlerësu në bazë të shifrave që i japim ne. Nëse krahasojmë me vitin e kaluar, ne i kemi diku nja 40 punëtorë më pak për shkak të plakjes së stafit që bëhet edhe pensionimet e parakohshme që i marrin njerëzit. Megjithatë, edhe pse kemi diku nja 40 punëtorë më pak, ne kemi arritur me rrit numrin e kontrolleve për 35 përqind e të vizitave diku për 40 për qind”, përfundoi Hyseni.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: