Sport
Vlerësim në ASHAK: Zgjedhja e ish-kryetares në krye të shtetit, krenari për institucionin tonë
Reklamë e Sponsorizuar
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), në partneritet me Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Prishtinës, kanë organizuar konferencën ndërkombëtare të titulluar “Twin Transformation: Reconceptualizing Organizations and Ecosystems”. Ngjarja u fokusua te sfidat dhe mundësitë rreth digjitalizimit, kalimit në ekonomi të gjelbër, inovacionit dhe avancimit të ekosistemeve të biznesit.
Gjatë fjalës hapëse, nënkryetari i ASHAK-së, Fejzullah Krasniqi, ka shprehur krenarinë e institucionit për zgjedhjen e ish-kryetares së tyre, Justina Shiroka-Pula, në postin e lartë të Presidentes së Kosovës, ngjarje kjo e ndodhur vetëm pak ditë më parë.
“Përshëndetja e kësaj konference ishte paraparë të bëhej nga kryetarja e deritanishme, Akademike Justina Shiroka-Pula, e cila para 2 ditësh është propozuar dhe për fat është zgjedhur presidente e Kosovës. Ky është një nderim i veçantë jo vetëm për Akademiken Justina Shiroka-Pula, por edhe për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku ajo, në pozitën e kryetares, është angazhuar me shumë përkushtim”, u shpreh ai.
Më tej, nënkryetari Krasniqi vuri theksin te rëndësia e madhe që ka kjo temë për studimet ekonomike dhe përshtatjen e organizatave moderne me sfidat aktuale.
“Tema e kësaj konference është veçanërisht aktuale dhe me rëndësi të shumëfishtë. Për kërkimin shkencor, studimin ekonomik dhe transformimin e organizatave bashkëkohore. Transformimi digjital dhe tranzicioni i gjelbër po zhvillohen gjithnjë e më shumë si procese të ndërlidhura, të cilat ndikojnë në mënyrën se si organizatat, institucionet dhe ekosistemet ekonomike e sipërmarrëse konceptohen, organizohen dhe zhvillohen”, shtoi ai.
Ai gjithashtu bëri thirrje për një bashkëpunim më të ngushtë ndërinstitucional, duke ndërlidhur botën akademike me sektorin privat përmes kërkimit shkencor.
“Në këtë kuadër, kërkimi shkencor dhe inovacioni marrin një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Zhvillimet në inteligjencën artificiale dhe transformimin digjital në sipërmarrje dhe ekonomi, në tranzicionin e gjelbër, si dhe në zhvillimin e ekosistemeve sipërmarrëse kërkojnë qasje të reja shkencore, bashkëpunim ndërdisiplinar dhe ndërinstitucional, si dhe lidhje më të fuqishme ndërmjet universiteteve, institucioneve kërkimore, sektorit të biznesit dhe aktorëve të tjerë të zhvillimit. Programi i konferencës është konceptuar në atë mënyrë që pasqyron qartë këtë gjerësi tematike dhe ndërdisiplinare. Përmes prezantimeve dhe diskutimeve profesionale, konferenca do të krijojë një hapësirë të rëndësishme për paraqitjen e rezultateve shkencore, për shkëmbimin e ideve dhe për diskutimin kritik të sfidave të shoqërisë”, theksoi Krasniqi.
Në vazhdim të punimeve, profesori i Fakultetit Ekonomik, Besnik Krasniqi, trajtoi ndikimin e hovit digjital në ekonomi dhe sipërmarrje, duke evokuar njëkohësisht edhe pikëpyetjet e hapura lidhur me privatësinë, pabarazinë dhe domosdoshmërinë e ngritjes së aftësive.
“Transformimi digjital, ky akses i ri në njohuri, i lidh sipërmarrësit me tregje të reja dhe krijon mundësi të reja për inovacion. Por, në të njëjtën kohë, ai ngre pyetje të rëndësishme për aftësitë, pabarazinë, besimin, privatësinë dhe rolin e ardhshëm. Siç ka thënë dikur ekonomisti Kevin Baldwin: “Kushdo që beson se rritja eksponenciale mund të vazhdojë përgjithmonë në një botë të kufizuar, është ose i çmendur ose ekonomist”. Por ky qëndrim mbart një mesazh domethënës: progresi nuk mund të matet vetëm me atë se sa shumë prodhojmë apo sa shpejt rritemi. Ai duhet të vlerësohet edhe në bazë të qëndrueshmërisë, gjithëpërfshirjes, përgjegjshmërisë dhe aftësisë për të përmirësuar jetën e njerëzve në afat të gjatë”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: