Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Botë

Bllokimi i dhjetëra minatorëve në Trepçë, ndërmarrja zbardh detajet e avarisë: Mungonin pjesët rezervë

Redaksia Lajmetereja • 08-10-2026 08:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Bllokimi i dhjetëra minatorëve në Trepçë, ndërmarrja zbardh detajet e avarisë: Mungonin pjesët rezervë
Ndërmarrja “Trepça” ka dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në Minierën me Flotacion në Stan Tërg, ku gjithsej 63 punonjës mbetën të bllokuar nën tokë si pasojë e një defekti teknik në sistemin elektrik. Sipas sqarimit nga menaxhmenti, prishja ka ndodhur rreth orës 19:30 në Trafon Tuneli, konkretisht në sistemin prej 35 kV. Kjo situatë çoi në ndërprerjen e menjëhershme të energjisë elektrike për të gjithë kompleksin e minierës dhe Njësinë e Flotacionit. Në kohën kur ndodhi avaria, nëntokë po zhvillonin aktivitetin e tyre 63 minatorë të angazhuar në ndërrimin e dytë, të cilët ishin në pritje të përfundimit të orarit zyrtar të punës në orën 23:00. Nga ana e ndërmarrjes bëhet e ditur se 54 prej punëtorëve arritën të ngjiten në sipërfaqe nëpërmjet shkallëve emergjente, ndërsa nëntë të tjerë preferuan të qëndronin brenda minierës derisa të rikthehej furnizimi i rregullt me rrymë. Normalizimi i furnizimit me energji u arrit në orën 02:30 pas mesnatës, ndërsa nëntë minatorët e mbetur dolën shëndosh e mirë në sipërfaqe pak minuta më vonë, saktësisht në orën 02:50. Pas stabilizimit të situatës dhe rikthimit të energjisë, ndërrimi i parë i punonjësve ka nisur angazhimin e rregullt në minierë pa u penguar. Megjithatë, Njësia e Flotacionit vazhdon të mbetet jashtë funksionit për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme që shkaktoi defekti në trafon 35 kV. “Procesi i sanimit është vështirësuar nga mungesa e pjesëve rezervë në magazinë, pasi këto pjesë nuk disponohen aktualisht në stok. Pas përfundimit të riparimeve dhe kryerjes së të gjitha verifikimeve teknike dhe të sigurisë, do të bëhet rikthimi i plotë i furnizimit me energji elektrike dhe vënia në funksion e Njësisë së Flotacionit. Ne mbesim të angazhuar me të gjitha mundësistë tona dhe pa kursyer asgjë nga ajo që dimë e mundemi, për ta kthyer situatën në normalitet. Për zhvillimet e mëtejshme dhe përfundimin e sanimit të avarisë do të njoftoheni me kohë”, thuhet në deklaratën e ndërmarrjes.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar