Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Zgjedhja e presidentit të ri, reagon Faton Bislimi: Institucioni i kreut të shtetit duhet të qëndrojë mbi partitë

Redaksia Lajmetereja • 07-10-2026 17:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Zgjedhja e presidentit të ri, reagon Faton Bislimi: Institucioni i kreut të shtetit duhet të qëndrojë mbi partitë
Pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës në krye të shtetit, ka reaguar Faton Bislimi, i cili më herët ishte lakuar në opinionin publik si një ndër kandidatët e mundshëm për këtë post, ndonëse nuk mori ndonjë propozim zyrtar nga subjektet politike. Gjatë reagimit të tij, ai e ka uruar presidenten e re për detyrën, duke e vënë theksin te rëndësia që institucioni i Presidencës të ruajë neutralitetin ndaj interesave partiake. “Dua t’i uroj nga zemra znj. Justina Shiroka-Pula detyrën e re dhe t’i dëshiroj shëndet, urtësi dhe suksese në ushtrimin e përgjegjësisë së saj të lartë kushtetuese. Presidenca është mbi çdo individ dhe mbi çdo parti; ajo është institucioni që duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit dhe dinjitetin e Republikës”, ka shkruar Bislimi, duke e cilësuar procesin e kaluar si të ndërlikuar dhe të zgjatur. Në fjalën e tij, ai ka veçuar me mirënjohje mbështetjen publike që i kishin dhënë ambasadori William Walker dhe kongresisti Joe DioGuardi, duke e konsideruar këtë mbështetje si një vlerësim të jashtëzakonshëm njerëzor dhe politik për të. “Propozimi dhe besimi i tyre publik ndaj meje do të mbeten përjetë një testament politik dhe njerëzor që e çmoj mbi çdo funksion, mandat apo post”, është shprehur Bislimi. Sipas tij, përkushtimi ndaj vendit nuk ka qenë asnjëherë i kushtëzuar me marrjen e ndonjë pozite shtetërore, por ka buruar nga një ndjenjë e thellë detyrimi qytetar e kombëtar. “Angazhimi im për Kosovën nuk ka filluar për ndonjë post, dhe nuk përfundon me detyrat shtetërore. Nuk kam punuar për Kosovën për ndonjë pozitë. Kam punuar për Kosovën sepse e kam ndier si detyrim të jetës sime”, ka deklaruar ai. Duke përmendur dy dekadat e punës në Washington dhe bashkëpunimin me personalitete nga të dyja krahët e politikës amerikane në mbrojtje të interesave të Kosovës, Bislimi ka lënë të kuptohet se vendi mund të ketë nevojë për një dinamikë të re në skenën politike. “Ndoshta ka ardhur koha që, përtej ndarjeve tradicionale, të ndërtojmë një alternativë që nuk pyet së pari se cilës parti i shërben Kosova, por pyet: Çfarë i shërben Kosovës?”, ka shkruar ai. Në mbyllje të reagimit të tij, Bislimi është zotuar se do të mbetet i angazhuar në mbrojtje të vlerave euroatlantike, partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe trashëgimisë së Luftës Çlirimtare. “Unë do të vazhdoj të jem aty. Jo për një post, titull apo karrige. Por për Kosovën. Sepse për mua, Kosova nuk ka qenë kurrë një mundësi për karrierë. Ka qenë mision! Dhe misionet e jetës nuk përfundojnë me një angazhim!”, ka përfunduar Bislimi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar