Aktuale
Sprovë e kaluar pa ndërhyrje të jashtme: Si po ndryshon mentaliteti politik në Kosovë
Reklamë e Sponsorizuar
Prej datës 16 shtatori, pas vendimit gjyqësor ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, Kosova po përballet me një nga ato momente ku një shoqëri nuk sprovohet vetëm nga sfidat që i dalin përpara, por edhe nga qasja që zgjedh për t'i menaxhuar ato. Mes tensioneve politike, emocionale dhe mediatike, dallohet një e ecur pozitive që meriton vëmendje: vendi po tenton t'i japë zgjidhje sfidave të veta në mënyrë autoktone, duke marrë përgjegjësinë për t'i pastruar çështjet brenda oborrit të vet. Kjo përbën një arritje të rëndësishme për skenën vendase.
Në këtë kontekst, udhëheqja jonë politike ka nisur të reflektojë drejt zgjidhjes së ngërçeve pa pasur nevojë për ndërmjetësimin e ambasadave të huaja që flasin në emër të institucioneve tona. Kemi filluar të tregohemi më të pavarur nga sugjerimet e paketuara të zyrtarëve të Brukselit, të cilët herë pas here përfshihen duke mbajtur anë, shpesh në dëm të interesave të Kosovës. Veprimi pa udhëzime të jashtme se çfarë duhet thënë apo ndërmarrë për shtetin dhe kombin tonë shënon një kthesë tejet inkurajuese.
Sigurisht, kriza jonë politike nuk ka marrë fund, dhe jo çdo vendim i yni mund të cilësohet si i pagabueshëm. Megjithatë, është e dukshme se në shoqërinë tonë po lind një vetëdije e re dhe një qasje ndryshe ndaj politikbërjes: sfidat e Kosovës duhet t'i adresojmë vetë brenda vendit, ndërsa sfidat dhe problemet tona duhet t'i zgjidhim me forcat tona.
Megjithatë, si zakonisht në raste të tilla, një pjesë e konsiderueshme e mediave shqiptare nuk arritën të kuptojnë se në rrethana të rënda politike nuk mjafton thjesht prania para mikrofonit, dukja estetike apo hapësira e pafund për retorika agresive. Kur ekranet televizive shndërrohen në arena përplasjesh dhe mesazhesh kërcënuese, ku inatet personale paraqiten si patriotizëm dhe ekstremizmi mbyt arsyen, media pushon së qeni vetëm kroniste e ngjarjeve dhe kthehet në aktor kryesor të krizës.
Kosova sapo kaloi një periudhë tejet të ndjeshme, ku ligjërimi publik u karakterizua nga një papjekuri dhe tension i tejskajshëm që rrezikoi të ndizte situatën në vend. Organet e informimit, në veçanti ato kombëtare, duhet të kuptojnë se roli i tyre mbart një peshë që tejkalon ndjeshëm garën për klikime, shikueshmëri apo spektakël.
Bëhet fjalë pikërisht për momentet e krizës, kur përgjegjësia editoriale vihet në provë të vërtetë, dhe fatkeqësisht, shumica e mediave dështuan në këtë drejtim. Në vend që të shërbenin si elementë qetësues ndaj tensioneve artificiale, ato funksionuan si lëndë djegëse për zjarrin e pakënaqësive, duke lejuar që gjuha e luftës dhe profile të caktuara të dominojnë hapësirën publike, e madje duke vënë në shënjestër edhe Policinë e Kosovës, si gardiane e sigurisë së shtetit.
Ky ngërç mediatik nuk kufizohet vetëm brenda kufijve të Prishtinës, pasi edhe mediat në Tiranë duhet të bëjnë një kthesë reflektimi. Çdo përmbajtje që gjeneron thjesht klikime nuk mund të etiketohet si gazetari e mirëfilltë. Transmetimi i materialeve intime apo pornografike pa asnjë interes të mirëfilltë publik e degradon median në nivelin e një tabloidi digjital. Një redaksi profesionale duhet të udhëhiqet nga parimi se jo çdo gjë që mund të publikohet, duhet patjetër të bëhet publike. Referencat ndaj vendeve si Norvegjia apo Gjermania janë kuptimplota jo për shkak të mungesës së gabimeve, por për shkak të kulturës së fortë të etikës dhe përgjegjësisë editoriale që kërkon në rend të parë saktësi dhe kujdes në përmbajtje.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: