Sport
Rrëfimi rrëqethës i xhudistit Indrit Çullhaj: Si garova me brinjë të krisur në Tokio dhe zbulimi i synimit për Los Angeles 2028
Reklamë e Sponsorizuar
Me një karrierë të jashtëzakonshme që numëron 8 medalje ballkanike (4 prej tyre të arta), 19 tituj kampion në Shqipëri dhe plot 137 medalje ndërkombëtare, Indrit Çullhaj mbetet një nga figurat më të spikatura të xhudos shqiptare, i cili ka shkruar emrin e tij edhe në skenën e madhe të Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
Së fundmi, xhudisti konfirmoi sërish dominimin e tij duke u kurorëzuar sërish kampion Ballkani pas katër triumfeve radhazi. I ftuar në emisionin “Rudina”, ai ndau me publikun detaje nga rrugëtimi i tij sportiv, sfidat e kaluara, triumfet dhe ambicjen e qartë për të siguruar një tjetër biletë olimpike, kësaj radhe për në “Los Angeles 2028”.
Gjatë rrëfimit, Çullhaj u ndal te një prej episodeve më kritike dhe të dhimbshme të karrierës së tij, kur u detyrua të sfidonte një dëmtim të rëndë në brinjë gjatë një ndeshjeje kyçe, duke siguruar fitoren në sekondat e fundit.
“Ky është një moment shumë delikat për mua te kjo foto, sepse ka qenë një moment që unë e kisha krisur brinjën që në Tiranë dhe nuk e dija që e kisha vrarë. Aty i kam marrë pikët dhe kanë qenë 15 sekondat e fundit për të ruajtur fitoren dhe fitova. Në një moment më jep një therje të jashtëzakonshme te pjesa e brinjës dhe ulem, s’e kuptova nga erdhi,” tregoi ai.
Në ato sekonda dramatike, zëri i vëllait të tij u bë shtysa e vetme për të mos u dorëzuar përballë dhimbjes së papërshkrueshme: “Në një moment e dëgjoj vëllain që thotë: Indrit, kemi punuar katër vite për të ardhur, çohu, mos rri shtrirë. Thashë me vete: A ta dish ti çfarë është dhimbja… Jo frymëmarrje që nuk merrja dot, por dhimbje të jashtëzakonshme. Shumë, shumë e jashtëzakonshme dhe më humbi veshja, si më thënë për diçka të vogël edhe kësaj radhe. Për Los Angeles dua të shkoj ta provoj veten siç duhet.”
Pavarësisht sfidave fizike dhe eksperiencës në Tokio, aspiratat e sportistit nuk ndalen këtu. Ai tashmë ka shënjestruar Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, një mision katërvjeçar që kërkon sakrificë, fokus dhe përkushtim maksimal.
“Synimi është drejt Los Angeles 2028. Nuk ka asgjë të pamundur. Thjesht të kesh dëshirë dhe fokus për të shkuar atje. Është 4 vjet që të kapësh normën olimpike. Unë në Tokio e kam arritur gati për ta marrë atë, në Lojërat Olimpike të Tokios,” u shpreh Çullhaj.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: