Politikë
Gjuha e ashpër e Valon Sylës kundër Lumir Abdixhikut: E quan «shvercer politik»
Reklamë e Sponsorizuar
Analisti dhe gazetari Valon Syla ka lëshuar akuza të rënda ndaj kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Reagimi i tij erdhi si pasojë e deklaratave të fundit të kreut të LDK-së, i cili theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është gjithashtu «gjaku» i kësaj partie, duke shtuar se subjekti që ai drejton nuk do t'i nënshtrohet kurrfarë etiketimesh apo kërcënimesh.
Kjo deklaratë e Abdixhikut erdhi vetëm një ditë pasi deputetët e LDK-së bojkotuan votimin e projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Ndërkohë, ky vendim i partisë ka shkaktuar pakënaqësi të brendshme, duke sjellë edhe dorëheqje nga strukturat drejtuese të saj.
Në reagimin e tij publik, Syla ka vënë në dyshim orientimin politik të kryetarit të LDK-së, duke aluduar se ai nuk ka asnjë lidhje me vlerat e UÇK-së, Lëvizjes Vetëvendosje, apo traditën e vetë LDK-së dhe presidentit historik Ibrahim Rugova.
«Ky me sonte kallxoj që as nuk është UÇK, as VV, e as LDK, se le më Rugovist. Ky është një shvercer politik me traditë», ka shkruar ndër të tjera gazetari Syla në adresë të Abdixhikut.
Më tej, ai ka përdorur edhe tonë ironike lidhur me pritshmëritë elektorale të kreut të LDK-së për zgjedhjet e ardhshme, si dhe ka bërë pretendime të tjera personale mbi angazhimin e tij ditor.
«Edhe mercenarët të kanë lonë. Edhe shoferi kallxon sa orë Sonny Playstation luan futball mshel në shtëpli në Marigonë, kur bëhesh se je i nxanun, kishe», ka përfunduar reagimin e tij Syla.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: