Sport
Spektakël golash në “Fadil Vokrri”: Kosova U-21 mbyll fushatën kualifikuese me një barazim dramatik ndaj Finlandës
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesja e Kosovës U-21 ka mbyllur ciklin e saj kualifikues me një ndeshje tejet spektakolare dhe me plot gola, duke barazuar 4:4 kundër bashkëmoshatarëve të Finlandës U-21 në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet. Dardanët e rinj e nisën sfidën në mënyrë ideale, duke kaluar në avantazh qysh në minutën e 15-të falë një finalizimi të saktë nga Medin Gashi.
Epërsia e vendasve mund të ishte dyfishuar vetëm dy minuta më vonë, mirëpo Laurent Xhylani tregohet i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë. Finlandezët arritën të vendosin ekuilibrin në minutën e 30-të, kur Arttu Lotjonen shënoi për 1:1, pas një asistimi të dhënë nga Matias Siltanen.
Përgjigja e Kosovës nuk vonoi dhe avantazhi u rikthye pas vetëm katër minutash, pasi Miska Ylitolva dërgoi topin në rrjetën e tij, duke shënuar autogol për 2:1. Megjithatë, me fillimin e pjesës së dytë, saktësisht në minutën e 48-të, Marius Soderback barazoi sërish shifrat në 2:2.
Ndeshja vazhdoi me ritëm të lartë dhe në minutën e 57-të, Medin Gashi shkëlqeu sërish duke realizuar golin e tij të dytë personal dhe duke i dhënë epërsinë 3:2 Kosovës. Mysafirët nga Finlanda nuk u dorëzuan dhe barazuan rezultatin në 3:3 në minutën e 73-të me anë të Matias Siltanen.
Minutat e fundit të takimit sollën emocione të forta dhe dramë në fushë. Në minutën e 84-të, Faton Ademi tregua i vëmendshëm duke shënuar për 4:3, rezultat që la të kuptohej se fitorja po i buzëqeshte Kosovës.
Kur u duk se gjithçka kishte marrë fund, Onni Helen përfitoj nga një pakujdesi në mbrojtje dhe realizoi golin e barazimit 4:4 në minutën e 90-të, duke vulosur përfundimisht fatin e këtij takimi të çmendur.
Pas përfundimit të këtyre kualifikueseve në Grupin A, Spanja kryesoi renditjen përfundimtare me 27 pikë, e ndjekur de jure nga Finlanda në pozicionin e dytë me 23 pikë, ndërsa Kosova e mbylli këtë fushatë në vendin e katërt me 15 pikë të grumbulluara.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: