Politikë
Përplasja Kurti-Hamza: Kreu i PDK-së reagon ashpër pas daljes publike të kryeministrit për postin e presidentit
Reklamë e Sponsorizuar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka dhënë një përgjigje të ashpër ndaj kreut të ekzekutivit, Albin Kurti, pas konferencës për media ku ky i fundit hodhi në tavolinë emrat e Glauk Konjufcës dhe Feride Rushitit për kreun e shtetit.
Gjatë prononcimit të tij, Hamza e akuzoi hapur Kurtin se po e shfrytëzon Ligjin për Dhomat e Specializuara si mekanizëm shantazhi për interesa të ngushta partiake, me synimin e vetëm për të siguruar një president politik dhe për të realizuar, siç u shpreh ai, kapjen e plotë të institucioneve publike.
“Si ta përdorin ligjin thjesht direkt për shantazh për me mrri qëllimin politik. Cili është qëllimi politik? Që me pas një president politik dhe me e përmbyll kapjen 100% të institucioneve të shtetit”, ka deklaruar Hamza gjatë reagimit të tij.
Lideri i opozitës bëri të a ditur se gjatë gjithë ditës është angazhuar në takime intensive konsultative, ndërsa vuri në dukje paqëndrueshmërinë e qëndrimeve të kryeministrit, të cilat, sipas tij, ndryshuan disa herë brenda pak orësh.
“Vazhdimisht kam qenë në takime, kemi bisedu, sa ka seriozitet në këtë punë ku veç sot që 3-4 herë ka qëndrime të ndryshme. Në mesditë ka qenë takimi i fundit ku e kam informuar se duhet të kalojë Ligji për Dhomat e Specializuara pastaj të flasim për presidentin”, tha ai.
Po ashtu, kreu i PDK-së ndau me publikun edhe një shqetësim të përcjellë nga deputetët e kësaj partie që mbajnë mbi supe të kaluarën si luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Kem ushtarë të UÇK-së në grupin parlamentar të PDK-së dhe mu lutën me shumë dashamirësi: ‘Kryetar të lutem mos na e bëj UÇK-në pjesë të pazareve politike’”, u shpreh Hamza, duke përcjellë thirrjen e tyre emocionale.
Emrat e bërë publikë nga kreu i Qeverisë u cilësuan nga Hamza si zgjedhje të diktuara, duke nënvizuar se konsensusi nuk mund të arrihet përmes imponimit dhe pa një dakordësi paraprake mes palëve.
“Propozime të imponuara, nuk mundesh me arrit marrëveshje pa u marrë vesh edhe me palën tjetër. Tu i thanë emrat në konferencë për media dhe nuk mundesh me punu me 100 standarde”, shtoi ai.
Një kritikë e veçantë iu drejtua edhe idesë për të votuar ligjin pavarësisht dilemave kushtetuese të ngritura përgjatë procesit legjislativ, duke e quajtur këtë qasje një formë të papranueshme transaksioni politik mes çështjes së ligjit dhe asaj të presidentit.
Sipas tij, vendi ndodhet në orët vendimtare të krizës dhe përgjegjësia për këtë situatë bie të rëndojë ekskluzivisht mbi Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Kurti pas dy viteve veprimesh të njëanshme.
Duke ritheksuar se PDK-ja ka dëshmuar transparencë dhe konstruktivitet për kompromis, Hamza kërkoi që fillimisht të pastrohen të gjitha paqartësitë juridike dhe procedurale të ligjit, e më pas të vijohet me diskutimet për zgjedhjen e presidentit.
“Kjo çka po shohim e çka po dëgjojmë nuk është aspak serioze për vendin, për temat për të cilat po bisedojmë. Kjo temë po tentohet me u shndërru në pazare të minutave të fundit”, përfundoi ai, duke kujtuar se Ligji për Dhomat e Specializuara prek themelet e historisë dhe të ardhmes së Kosovës dhe nuk i përket vetëm një force politike.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: