Politikë
Kurti lëshon premtimin: Zgjidhni presidentin sonte, të enjten miratojmë Projektligjin për Dhomat e Specializuara
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka dhënë një zotim publik se nëse kreu i shtetit zgjidhet brenda mbrëmjes së sotme, Projektligji për Dhomat e Specializuara do të kalojë në lexim të dytë paraditen e së enjtes.
Sipas Kurtit, ky veprim do të siguronte respektimin e rregullores institucionale dhe përmbylljen e suksesshme të dy çështjeve kyçe.
“Ta zgjedhim presidentin sonte dhe publikisht zotohem se në paraditen e së enjtes kalon leximi i dytë i Projektligjit për Dhomat e Specializuara”, u shpreh ai gjatë deklarimit të tij.
Duke arsyetuar heshtjen e tij në fazën e deritanishme të diskutimeve ndërpartiake, Kurti u shpreh se këtë e ka bërë për hir të vullnetit për të arritur një konsensus.
Megjithatë, kreu i ekzekutivit drejtoi akuza të forta ndaj Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryetarit të saj, Bedri Hamza, duke i fajësuar për vendosje kushtesh dhe bojkotim të tryezës së dialogut.
Ai solli në vëmendje edhe rastin e zgjedhjes së Vlora Çitakut në postin e nënkryetares së Kuvendit, duke theksuar se ky proces nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, ndërkohë që shtoi se nënkryetari nga radhët e tyre, Ardian Gola, nuk ka pasur nevojë për votat e PDK-së.
“Ju e dini që unë s’kam folur deri më tash në këto takime që kemi pasur. Kam pasur dhe dua marrëveshje. Por tash Bedri Hamza na ka kushtëzuar dhe refuzon të takohet me ne, prandaj edhe s’na mbetet rrugë tjetër po t’ju drejtohemi kësisoj. Si të kërkohet marrëveshje pa takim, pa diskutim. Ne ua kemi votuar edhe Vlora Citakun, meqenëse pa votat tona nuk mund të zgjidhej. Në anën tjetër, nënkryetari jonë Ardian Gola nuk kishte nevojë për votat e PDK-së”, deklaroi Kurti.
Ndër të tjera, kryeministri përmendi hapat konkretë që sipas tij dëshmojnë vullnetin politik të mazhorancës, përfshirë votimin e deklaratës për vendimin në Hagë, thirrjen e seancës së jashtëzakonshme që opozita nuk do të mund ta organizonte vetë, si dhe renditjen e parë të projektligjit për Dhomat e Specializuara.
“E votuam deklaratën për vendimin në Hagë, e thirrëm seancën e jashtëzakonshëm. Ne e thirrëm, ata nuk do të mund ta thirrnin dhe e vendosëm të parin projektligjin për Dhomat e Specializuara. Këto janë veprime konkretë qe dëshmojnë gatishmërinë tonë. Tash s’duan as të takohen dhe vendosin kushte”, shtoi ai.
Kurti tregoi gjithashtu se përpjekjet e tij për takime me opozitën kanë nisur që para dy viteve, periudhë gjatë së cilës sipas tij ftesat janë refuzuar vazhdimisht, për të nisur një bashkëpunim të kufizuar vetëm tri javë më parë.
Ai kritikoi ashpër qasjen aktuale të opozitës, duke u shprehur se ata po kërkojnë nga Lëvizja Vetëvendosje 53 vota, ndërkohë që vetë nuk përbëjnë as gjysmën e saj, duke krahasuar fuqinë e tyre prej 62 deputetësh të mazhorancës përballë 22 të opozitës.
“Tash e dy vjet i kam ftuar në takim, zakonisht kanë refuzuar. Para tri jave filluan të vijnë. Sot refuzojnë takime, bashkëpunimin e marrëveshje. Kërkojnë nga VV 53 vota, a vetë s’janë as gjysa e VV-së. Na 62 si mazhorancë, ata 22. Sillen sikur e kanë një mbështetjet qytetarë, që nuk e kanë marrë. Marrëveshja nuk bëhet duke refuzuar dialogun”, përfundoi Kurti.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: