Politikë
Kurti: Krizë institucionale rrezikon mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së në Hagë
Reklamë e Sponsorizuar
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të ri dhe mbrojtja e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës përbëjnë çështje të ndara, por të ndërlidhura ngushtë në rrethanat aktuale politike.
Gjatë një prononcimi, ai theksoi se mungesa e një presidenti, duke pasur parasysh se afati kushtetues skadon sot në mesnatë, do t'ia pamundësojë vendit ofrimin e ndihmës së nevojshme për katër ish-krerët e UÇK-së, të cilët presin të apelojnë dënimet e shkallës së parë për krime lufte të shqiptuara nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
“Për katër të dënuarit, ne besojmë se duhet të ketë korrigjim në Apel, ndërsa, në anën tjetër, kemi nevojë për një strategji shtetërore e kombëtare. Moszgjedhja e Presidentit na çon drejtpërdrejt në zgjedhje. Por jo vetëm që na çon në zgjedhje, ajo na kufizon edhe mundësinë që të merremi me strategjinë shtetërore dhe me çështjen e apelit”, u shpreh Kurti.
Më tej, kreu i ekzekutivit nënvizoi se çështja e apelimit nuk mund të shtyhet për vitin e ardhshëm, por kërkon angazhim të menjëhershëm gjatë këtij muaji.
“Pa President, sot Kosova rrezikon të mbetet për muaj të tërë në zgjedhje dhe pa institucione funksionale. Prandaj, çështja e zgjedhjes së Presidentit është emergjente”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: