Politikë
Kriza jonë morale: A është hipokrizia qytetare rrënja e vërtetë e keqqeverisjes në Shqipëri?
Reklamë e Sponsorizuar
Përparimi i Shqipërisë mbetet ende shumë larg pritshmërive të kohës dhe, për më tepër, larg ritmeve të shteteve me kushte të përafërta me ne. Stabiliteti ekonomik e politik, konsolidimi i shtetit të së drejtës, zhvillimi i qëndrueshëm dhe perspektivat zhvillimore afatgjata, janë larg kohës kur jetojmë dhe prioritetit të integrimit evropian, aq të shumëpritur për çdo shqiptar. Gjendja ekonomike dhe kushtet e jetesës së qytetarëve mbeten jo vetëm larg pritshmërive, por edhe larg kërkesave minimale për të siguruar një jetë të dinjitetshme.
Hendeku social në vendin tonë sa vjen e thellohet. Natyrshëm, e gjithë pakënaqësia i drejtohet shtetit dhe politikës në tërësi, e kjo me shumë të drejtë, por nuk është e mjaftueshme. Specialistët e fushave janë të zotët të bëjnë analiza të hollësishme për çdo problematikë, por secilit prej tyre do t'i lutesha të shtojnë si faktor kyç edhe dyfytyrësinë, apo më mirë të thuhet pafytyrësinë tonë si qytetarë të kësaj republike. Nuk më dhimbset qeveria apo politika, por ndaj bindjen se, pa ndryshuar ne për t'u paraqitur me një fytyrë të vetme, nuk do të ndryshojë kurrë as qeverisja. Përkundrazi! Ne protestojmë, i fyejmë dhe i mallkojmë drejtuesit, ndërkohë që ata vetëm pasurohen e fuqizohen, sepse e njohin mirë hipokrizinë tonë. Mbetet aksiomë e gjithëpranuar se çdo popull ka qeverisjen që meriton, dhe nga kjo nuk bëjmë përjashtim as ne. Për ta ilustruar këtë realitet, faktet janë të shumta, por po ndalem shkurtimisht vetëm në disa prej tyre:
Të paktën një herë në dy vjet, ne ftohemi të zgjedhim përfaqësuesit tanë në organet ligjvënëse dhe administrative vendore. Por çfarë ndodh në të vërtetë? Votojmë masivisht më të keqen e së keqes. Zihemi me njëri-tjetrin se kë duhet mbështetur, bëjmë lobim, patronazhim, ushtrojmë presion dhe prishemi madje edhe me të afërmit, por rrallë gabojmë në një drejtim: përgjithësisht zgjedhim më të keqin! Më pas, ngarkojmë parulla, kërkojmë si kompensim shpenzimet e udhëtimit, ndonjë sandviç apo shishe ujë, dhe protestojmë kundër atyre që vetë i kemi votuar. Më i miri mes nesh e fal votën për miqësi, militantizëm partiak, përkatësi etnike apo krahinore, ndërkohë që individët më problematikë e shesin atë për para, pazare pushteti, marrëveshje okulte për vende pune apo përfitime të paligjshme.
Shumica prej nesh sillemi jo thjesht të dyzuar, por si dy njerëz pa asnjë lidhje mes vete. Ndryshe votojmë dhe tjetër gjë kërkojmë më pas! Kur hedhim votën nuk llogarisim pasojat, kur të tjerët vuajnë bëhemi indiferentë duke thënë "larg meje", ndërsa kur e ndiejmë dëmin në lëkurën tonë, kërcejmë përpjetë dhe reagojmë më shumë duke dëmtuar veten sesa për të vënë drejtësi. Dyfytyrësi apo pafytyrësi, le ta gjykojë secili me ndershmëri para vetes dhe rrethit të tij shoqëror e familjar.
Një tjetër aspekt domethënës është raporti ynë me çmimet, sasinë dhe cilësinë e mallrave e shërbimeve. Në Shqipëri, kostot në treg përgjithësisht nuk e justifikojnë as nivelin e jetesës dhe as cilësinë e produkteve që blejmë. Konsumojmë bukë me ngjyrues dhe pa standardet e duhura, ushqejmë blegtorinë me misër të kontaminuar nga aflatoksina për të marrë më pas produkte shtazore të pasigurta, blejmë perime ku janë përdorur plehra dhe pesticide të ndaluara, dhe megjithatë heshtim, duke pritur çdo gjë vetëm nga shteti. Sigurisht që shteti paguhet dhe ka për detyrë të kontrollojë, por përgjegjësia jonë si konsumatorë që pranojmë heshtazi këtë mungesë cilësie mbetet po aq shqetësuese.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: