Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

Rrëfimi i deputetit Rexhepi: Si më kapën fizikisht protestuesit jashtë Kuvendit

Redaksia Lajmetereja • 05-10-2026 19:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Rrëfimi i deputetit Rexhepi: Si më kapën fizikisht protestuesit jashtë Kuvendit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fahrush Rexhepi, ka ndarë detaje nga incidenti i ndodhur pas mbylljes së seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, duke pohuar se është penguar dhe është sulmuar fizikisht nga një grup protestuesish pranë ndërtesës legjislative. Rexhepi, i cili është profesor doktor dhe vëlla i dëshmorit Njazi Rexhepi, sqaroi se kishte lënë sallën e Kuvendit për të marrë terapinë e tij. Ai tregoi se fillimisht ishte larguar nga dalja e pasme ku nuk kishte grumbullim njerëzish, por sapo kishte dalë te hyrja kryesore, është ndaluar nga disa prej protestuesve. “Fillimisht tre-katër veta më kanë ndalur dhe më kanë pyetur a je deputet. Pastaj më kanë pyetur se cilës parti i takoj dhe u kam treguar se jam deputet i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Rexhepi. Sipas tij, pavarësisht se seanca kishte përfunduar, turma kishte kërkuar me këmbëngulje që ai të kthehej sërish brenda objektit të Kuvendit. “Kanë filluar të kërkojnë prej meje që të kthehem. Unë u kam thënë se seanca ka përfunduar dhe projektligji është votuar. Kur të na thërrasin për seancën e radhës, ne përsëri kthehemi”, tha ai. Parlamentari shtoi se ngjarja më pas eskaloi dhe protestuesit shfaqën sjellje agresive ndaj tij. “Unë u kam thënë mos më kapni, mos më prekni, mos më shtyni, edhe kthehem vetë. Nuk ka nevojë me pasur këtu ballafaqime e shtyrje”, u shpreh Rexhepi, duke theksuar se situata u tensionua veçanërisht pas ndërhyrjes së njërit prej organizatorëve, të cilin e emërtoi si Çlirim Haziri. “Në atë moment është afruar Çlirim Haziri, ky udhëheqësi kryesor që është i protestave. Edhe ky e ka nxitur, me thënë të vërtetën, krejt situatën në atë moment. Pastaj më kanë kapur dhunshëm dhe më kanë përcjellë brenda oborrit të Kuvendit”, deklaroi Rexhepi. Ai bëri të ditur se tashmë ka identifikuar disa nga personat që ushtruan dhunë gjatë këtij episodi dhe se ngjarjen do ta adresojë zyrtarisht në organet e Policisë së Kosovës. Duke e quajtur trajtimin ndaj tij si plotësisht të papranueshëm, Rexhepi kujtoi se në të kaluarën edhe vetë ka qenë pjesëmarrës në protesta, përfshirë ato kundër Gjykatës Speciale. “Është shumë e ulët me u sjellë në atë formë ndaj njerëzve të cilët ndoshta edhe do t’i njohin njerëzit dhe do ta dinë çfarë ka bërë njeriu dhe çfarë kontributi kam dhënë”, përfundoi ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar