Politikë
Çlirim Haziri apelon nga Kuvendi: Ndalni pazaret politike, Ligji për Specialen të mos lidhet me postin e presidentit
Reklamë e Sponsorizuar
Organizatori i protestës së organizuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, Çlirim Haziri, u ka bërë thirrje ligjvënësve që të votojnë pa vonesa Projektligjin për ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara në Hagë, në leximin e tij të dytë.
Gjatë prononcimit të tij, Haziri ka theksuar se miratimi i këtij akti ligjor nuk duhet të bëhet pjesë e pazarllëqeve politike që lidhen me procesin e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Duke shprehur vendosmërinë e protestuesve, ai paralajmëroi se asnjë deputet nuk do të mund të largohet nga ndërtesa e Kuvendit pa kaluar më parë ky ligj në lexim të dytë.
“Politika jonë dhe përfaqësuesit tanë kanë preferuar që këtë ligj të mos e trajtojnë si prioritet, por të përdorin ligjin e UÇK-së për të kushtëzuar interesat e tyre politike. U bëj thirrje të gjithë deputetëve që ndodhen brenda të mos luajnë me gjakun e Adem Jasharit dhe Hamëz Jasharit, dhe të mos e lidhin fatin e ligjit për UÇK-në me postin e presidentit. Nuk do të lejojmë që asnjë deputet të dalë pa shkelur mbi trupat tanë; do të shtrihemi në tokë, le të na shkelin neve dhe më pas të kthehen te familjet e tyre”, u shpreh Haziri.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, ku u regjistruan 91 vota pro dhe asnjë kundër.
Krahas këtij projektligji, seanca e sotme plenare ka shënuar edhe miratimin e disa nismave të tjera legjislative.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: