Kronikë
LDK refuzon nismën për Ligjin e Speciales: Aktgjykimet nuk zhbëhen me vota në Kuvend
Reklamë e Sponsorizuar
Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të qartë se nuk do ta mbështesë asnjë iniciativë që synon ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Qëndrimi zyrtar i kësaj partie u bë i ditur nga shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu.
Ajo ka theksuar se një vendim apo votim brenda mjediseve të Kuvendit nuk ka fuqi të zhbëjë një vendim gjyqësor, sikurse nuk mund të anashkalojë as Kushtetutën e vendit apo detyrimet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
“Nuk mund t’u premtojmë se një votim në Kuvend mund të zhbëjë një aktgjykim apo ta zëvendësojë betejën juridike. Dhomat e Specializuara mbështeten në një kornizë kushtetuese dhe në detyrime ndërkombëtare të Republikës së Kosovës. Ndryshimi i një ligji të zakonshëm nuk i shfuqizon ato detyrime dhe nuk mund ta anashkalojë Kushtetutën e Kosovës. Prandaj, vetë miratimi i ndryshimeve në këtë Kuvend nuk garanton zbatimin e tyre, as rezultatin që u premtohet qytetarëve sot. Për më tepër, ndryshimet e miratuara nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit kushtetues; Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ka kompetencë t’i referojë ligjet e Dhomave të Specializuara në Gjykatën Kushtetuese, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së tyre”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.
Parlamentarja e lartë ka paralajmëruar gjithashtu se nëse dispozitat e reja që mund të miratohen shpallen si antikushtetuese, ato rrezikojnë të shfuqizohen, duke lënë pas pasoja të rënda politike dhe ndërkombëtare që do të rëndonin mbi shtetin e Kosovës.
“Nëse dispozitat shpallen antikushtetuese, ato mund të shfuqizohen. Kjo, nisur nga përgjegjshmëria, mund të mos prodhojë efektin juridik që pretendohet, ndërkohë që pasojat e saj politike dhe ndërkombëtare mund t’i mbeten shtetit të Kosovës. Dhe argumenti për kthimin e procesit dhe raportit Dick Marty anashkalon zhvillimet juridike që kanë pasuar. Pas atij raporti u zhvilluan hetime të Task Forcës Speciale Hetimore, gjetjet e së cilës u paraqitën nga Clint Williamson në vitin 2014 për pretendimet për trafikim organesh. Ai deklaroi se nuk kishin siguruar prova të mjaftueshme për ngritjen e aktakuzës, ndërsa për pretendime të tjera paraqiti gjetje që, sipas tij, justifikonin ndjekje penale”, u shpreh ajo.
Sipas saj, kundërshtimi i raportit fillestar nuk ka se si t'i zhbëjë procedurat dhe hetimet gjyqësore që erdhën më vonë, ndërsa riafirmoi se për subjektin e saj politik, çdo dyshim për padrejtësi duhet të ndjekë vetëm rrugët e duhura ligjore.
“Dhomat e Specializuara u themeluan në vitin 2015 pas këtij raporti. Prandaj, kundërshtimi i raportit fillestar nuk i zhbën vetvetiu hetimet dhe procedurat gjyqësore që pasuan. Për LDK-në, rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore, përmes apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parashikuara me ligj. Çdo pretendim për gabime, padrejtësi apo shkelje në proces duhet të argumentohet dhe të shqyrtohet nga instancat kompetente”, shtoi ajo.
Në fund, deputetja e LDK-së ka vlerësuar se institucionet vendase kanë detyrim të ofrojnë mbështetjen e nevojshme për mbrojtjen e personave që përballen me drejtësinë, por njëkohësisht ka bërë thirrje për koordinim të ngushtë me ndërkombëtarët.
“Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë, brenda përgjegjësive të tyre ligjore, mbështetjen e nevojshme për një mbrojtje profesionale dhe efektive. Po aq i domosdoshëm është koordinimi ndërkombëtar. Një çështje që lidhet me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me marrëdhëniet me aleatët tanë kërkon konsultim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë. Veprimet e njëanshme pa këtë koordinim dhe pa vlerësim të qartë të pasojave juridike rrezikojnë ta dobësojnë besueshmërinë e Kosovës dhe mbështetjen ndërkombëtare”, përfundoi ajo.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: