Sport
Nis numërimi mbrapsht: Stadiumi “Fadil Vokrri” gati për spektaklin Kosovë-Austri
Reklamë e Sponsorizuar
Të gjitha përgatitjet në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë përfunduar përballë sfidës së zjarrtë mes Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Austrisë, e cila do të luhet mbrëmjen e sotme në kuadër të Ligës së Kombeve.
Momente para se të nisë ndeshja, pamjet nga ambientet e brendshme dëshmojnë se çdo detaj është sistemuar me kujdes për “Dardanët”. Fanellat e kaltërta janë vendosur tashmë në zhveshtore, duke konfirmuar se ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi Franco Foda do të paraqitet me këtë ngjyrë tradicionale në fushë kundër austriakëve.
Pritet që shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri” të gumëzhijnë nga një atmosferë elektrizuese, pasi impianti kryesor vendës pritet të jetë i stërmbushur për këtë përballje të radhës me peshë të madhe në shtëpi.
Në anën tjetër, Federata e Futbollik të Kosovës (FFK) ka ndarë me opinionin publik një video nga arena sportive pak çaste para duelit, ku shfaqet gjendja e shkëlqyer e fushës dhe detajet e fundit organizative në “Fadil Vokrri”.
Në aspektin sportiv, Kosova hyn në këtë takim pas barazimit pa gola kundër Izraelit, duel ky i zhvilluar në Debrecen, kurse në ndeshjen e kaluar në Vjenë, Austria kishte triumfuar me rezultatin 3-1. Kësaj radhe, “Dardanët” synojnë një paraqitje madhështore para shikuesve të tyre dhe mbi të gjitha një rezultat pozitiv ndaj skuadrës që udhëhiqet nga trajneri Ralf Rangnick.
Kujtojmë se ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Austrisë do të startojë sonte, duke filluar nga ora 18:00, në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: