Aktuale
Skandali me videot intime, Eli Fara thyen heshtjen: Nuk turpërohem unë, por ata që shpërndanë pamjet
Reklamë e Sponsorizuar
Këngëtarja e njohur shqiptare, Eli Fara, ka thyer për herë të parë heshtjen pas reagimit të madh në opinionin publik dhe shpërndarjes së videove të saj intime në platformat digjitale. Në deklaratën e saj publike, ajo thekson se turpi nuk i takon asaj, por personave që kanë publikuar dhe shpërndarë këto materiale.
"Po përjetoj një dhimbje që nuk ia uroj asnjë gruaje: cenimin e privatësisë dhe përballjen me gjykime e fyerje që prekin edhe familjen time", ka shkruar artistja në mesazhin e saj.
Ndërkohë, ajo ka ngritur një shqetësim të thellë mbi mënyrën se si shoqëria trajton gratë në raste të tilla, duke vënë në pah se shpesh viktimave u ngarkohet padrejtësisht barra e turpit për vepra që janë kryer ndaj tyre.
"U cenojnë privatësinë dhe pastaj u kërkojnë të japin llogari. I lëndojnë dhe pastaj i gjykojnë për mënyrën si e përballojnë dhimbjen. Asnjë grua nuk duhet të kalojë nëpër këtë poshtërim", vijon rrëfimi i saj.
Sipas këngëtares, ky rast tashmë i ka kaluar institucioneve të drejtësisë, ndërsa i ka drejtuar një apel të fortë qytetarëve për më shumë ndërgjegjësim dhe njerëzillëk, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të shpërndarjes së materialeve që vetëm sa shtojnë vuajtjet e saj dhe të familjarëve.
"Përpara çdo gjykimi, mendoni për njeriun dhe familjen që po lëndoni", përgjërohet ajo në mesazhin e saj.
Në mbyllje të reagimit, Eli Fara ka shprehur mirënjohjen e saj të thellë për familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë mbështetësit që i kanë qëndruar pranë si privatisht ashtu edhe publikisht, duke shtuar se ky solidaritet dhe dashuri i japin guximin të ecë përpara "me dinjitet dhe me kokën lart".
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: