Sport
Start i furishëm në volejboll: Studenti mposht kampionët e Partizanit në derbi, Vllaznia nis me këmbë të mbarë
Reklamë e Sponsorizuar
Sezoni i ri 2026-2027 në volejbollin shqiptar ka nisur vrullshëm për skuadrën e Studentit. Pasi triumfoi në Kupën e FSHV-së, ekipi kryeqytetas e ka nisur me sukses edhe rrugëtimin në kampionat, duke mposhtur që në javën e parë një kundërshtar direkt dhe kampionët në fuqi të Partizanit të drejtuar nga Ylli Tomorri. Studenti fitoi me rezultatin 3-1 në derbin e zhvilluar në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Ndeshja ishte mjaft e luftuar dhe u menaxhua më së mirë nga formacioni i Kestrin Batallit, i cili siguroi kështu tri pikët e para në tabelë. Dueli nisi me dominimin e plotë të Studentit, që e fitoi bindshëm setin e parë 25-12. Fraksioni i dytë ishte shumë më konkurrues; kur dukej se Studentët po e kontrollonin lojën, Partizani reagoi fuqishëm dhe përmbysi shifrat në 24-26 përmes pikëve shtesë.
Megjithatë, Studenti rimori kontrollin e lojës duke fituar setin e tretë me rezultatin 25-19, ndërsa vulosi triumfin përfundimtar duke fituar edhe të katërtin 25-21. Kjo përballje spektakolare zgjati dy orë. Në aspektin individual, Gjinollari dhe Pereira shkëlqyen me nga 15 pikë secili për Studentin, ndërsa Qepa dhe Shallaku kontribuan me nga 13 pikë secili për të bërë diferencën në sulm. Për Partizanin, Krist Martiro dhe Tyler Funk shënuan nga 14 pikë secili, ku për kanadezin ky ishte debutimi i tij me fanellën e kuqe.
Ndërkohë, në takimin tjetër të zhvilluar në Shkodër, Vllaznia nuk ka gabuar përballë Elbasanit, duke fituar me rezultatin e pastër 3-0 në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Edhe pse shifrat duken të qarta, sfida pati rivalitet, veçanërisht në setin e parë dhe të tretë. Vendasit e fituan setin e parë pas pikëve shtesë me rezultatin 26-24, dominuan plotësisht të dytin me shifrat 25-14 dhe mbyllën llogaritë në të tretin me rezultatin 25-23, duke siguruar fitoren pas një ore e 47 minutash lojë.
Vlen të theksohet se të dyja skuadrat u paraqitën me organika të cunguara; Vllaznia kishte në dispozicion vetëm tre lojtarë në stol, ndërsa Elbasani vetëm një. Java e parë e kampionatit do të mbyllet ditën e shtunë, me sfidën mes Erzenit dhe Skënderbeut, e cila do të luhet në orën 17:00 në sallën “Dhimitraq Goga”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: