Aktuale
Kardiologu Agron Leka paralajmëron: Emocionet e forta dhe stresi rrezikojnë zemrën, pacienti më i ri me infarkt vetëm 22 vjeç
Reklamë e Sponsorizuar
Stresi, emocionet e forta, konsumimi i duhanit dhe mungesa e lëvizjes fizike përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e zemrës. Kështu ka bërë të ditur internisti-kardiolog, Agron Leka, gjatë një paraqitjeje televizive në emisionin “Shëndeti Sot”.
Duke trajtuar temën e sulmeve kardiake, specialisti theksoi se infarkti nuk kursen as moshat e reja. Ai ndau një rast shqetësues nga praktika e tij mjekësore, ku pacienti më i ri i prekur nga ky problem ishte vetëm 22 vjeç.
“Gjatë përvojës time, më i riu ka qenë 22-vjeçar, të cilin e kam diagnostikuar me sulm në zemër”, u shpreh Leka.
I pyetur mbi ndikimin e ndjenjave intensive, siç është dashuria apo ambiciet e tepruara, kardiologu konfirmoi se ato luajnë një rol vendimtar në gjendjen kardiovaskulare. Sipas tij, dështimi për të arritur objektivat e vendosura, së bashku me faktorët e tjetër jetësorë, mund të shërbejnë si nxitës të një sulmi në zemër.
“Dashuria, pirja e duhanit, mosaktiviteti fizik, stresi. Pastaj mund të jenë shumë ambiciozë. Ambiciet e tepruara, kur nuk e arrin atë që e ka paraparë, mund të jenë faktor për sulm në zemër”, shpjegoi ai.
Po ashtu, ngjarjet tragjike apo humbjet e rënda familjare lënë pasoja të rënda në organizëm. Leka veçoi pikëllimin për një person të afërt si një ndër situatat që shkakton ngarkesë të skajshme emocionale.
Te gjeneratat e reja, ngarkesat psikologjike dhe stresi shpesh shoqërohen edhe me probleme të rrahjeve të zemrës, paralajmëroi mjeku.
“Pirja e duhanit, mosaktiviteti fizik, mbipesha, pastaj punësimi, regjistrimi në fakultete... Këto më shumë shkojnë me çrregullim të ritmit, me aritmi, bradikardi, takikardi, lloje të ndryshme”, shtoi Leka.
Në fund, kardiologu dha rekomandimet e tij për mbrojtjen e sistemit kardiovaskular, duke sugjeruar ruajtjen e një ekuilibri të qëndrueshëm fizik e mendor, si dhe angazhimin e rregullt në aktivitete fizike.
“Këshilla ime është që të jetë së pari stabil, pra në aspektin motorik dhe psikik të jetë stabil. Aktiviteti fizik është shumë i rëndësishëm”, përfundoi Leka.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: