Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Iniciativa e re e PDK-së për Gjykatën Speciale: Synimet, pikat e propozuara dhe pengesat ligjore

Redaksia Lajmetereja • 03-10-2026 09:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Iniciativa e re e PDK-së për Gjykatën Speciale: Synimet, pikat e propozuara dhe pengesat ligjore
Pasi vite më parë investoi fuqishëm për shfuqizimin e Gjykatës Speciale – duke mobilizuar diplomacinë, analistë vendës e ndërkombëtarë, diplomatë të huaj dhe media të ndryshme – Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po ndërmerr sërish një hap tjetër. Kësaj radhe, përmes ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Gjykatën Speciale, synohet lirimi i të dënuarve H. Thaçi, K. Veseli, J. Krasniqi dhe R. Selimi. Sipas njohurive të deritanishme, hartuesit e këtij projektligji nuk kanë zhvilluar asnjë konsultim paraprak me avokatët e personave të dënuar, një hap që do të ishte tejet i domosdoshëm. Në çdo shtet demokratik, ndryshimet ligjore ndodhin rregullisht për të përmirësuar dispozitat ekzistuese ose për t'i harmonizuar ato me legjislacionin tjetër. Megjithatë, ndërhyrjet e propozuara nga PDK-ja në Ligjin për Gjykatën Speciale përbëjnë një rast krejtësisht ndryshe dhe të paprecedentë në praktikën juridike. Është e panjohur që gjatë një procesi aktiv gjyqësor, madje kur tashmë ekziston një aktgjykim fajësues i shkallës së parë, të ndërmirren ndryshime ligjore enkas për t'iu përshtatur rrethanave të të dënuarve. Por, çfarë po kërkojnë saktësisht ekspertët juridikë të kësaj partie përmes këtyre ndryshimeve? Më poshtë po sjellim disa nga pikat kryesore të këtij projektbisme: Së pari, propozohet kufizimi i mandatit të Gjykatës Speciale, duke ia transferuar atë Kuvendit të Kosovës në vend të Bashkimit Evropian. Së dyti, kërkohet kufizimi i juridiksionit të kësaj gjykate, në mënyrë që ajo të hetojë dhe gjykojë vetëm pretendimet e Dick Martit për trafikim organesh në Shtëpinë e Verdhë në Shqipëri. Ky argument, megjithatë, nuk qëndron, pasi Raporti i Dick Martit u rrëzua nga Prokurori i Task Forcës, Clint Williamson, i cili konkludoi se nuk kishte prova për trafikim organesh, çka dëshmon se Gjykata Speciale nuk u themelua mbi këto baza, pavarësisht pretendimeve të opozitës. Së treti, kërkohet shkurtimi i periudhës hetimore të Gjykatës Speciale që të nisë nga 1 korriku i vitit 1999, duke përfshirë vetëm kohën e pasluftës, në kundërshtim me afatin aktual parashikues nga janari 1998 deri në fund të vitit 2000. Së katërti, pretendohet që të dënuarit t'i vuajnë dënimet e tyre brenda territorit të Kosovës dhe jo jashtë vendit, si dhe arkivat e Speciales të kthehen në Kosovë – një synim i parealizueshëm për shkak të pengesave që paraqesin marrëveshjet ndërkombëtare. Së pesti, kërkohet ndryshimi i Kodit Penal me qëllim uljen e dënimeve. Së gjashti, pas vendimit të Gjykatës së Apelit, lënda propozohet të kalojë në kompetencë të Gjykatës Supreme të Kosovës me seli në Prishtinë, si instancë përfundimtare, dhe jo të Gjykatës Supreme në Hagë. Edhe ky propozim bie ndesh me marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat përcaktojnë qartë se i gjithë procesi gjyqësor – përfshirë shkallën e parë, Apelin, Supremen dhe Gjykatën Kushtetuese – zhvillohet ekskluzivisht në Hagë. Së shtati, propozohet që Presidenti i Kosovës të fitojë të drejtën e faljes për të dënuarit e Hagës, ndonëse marrëveshja ndërkombëtare këtë prerogativë ia njeh vetëm Dhomave të Specializuara. Në fund të fundit, ndryshimet dhe plotësimet e propozuara nga juristët e PDK-së mbeten të pamundura për t'u jetësuar. Kjo pasi ky projektligj nuk ka fuqi të ndryshojë Kushtetutën e Kosovës, e sidomos nenin 162, e as marrëveshjen ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së, përmes së cilës të gjitha kompetencat dhe juridiksioni i kësaj gjykate iu deleguan Dhomave të Specializuara me seli në Hagë – një mekanizëm ky i votuar dikur nga vetë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar