Kronikë
Apeli i fortë i publicistit: Ndalni politizimin e Gjykatës Speciale dhe mos e përdorni UÇK-së si mburojë
Reklamë e Sponsorizuar
Veprimtari dhe publicisti Saim Tahiraj ka bërë thirrje që e gjithë vëmendja t'i lihet rrugëve institucionale dhe gjyqësore sa i takon zhvillimeve në Gjykatën Speciale të Kosovës, duke hedhur poshtë kategorikisht presionet e ndryshme politike, protestat në sheshe dhe çdo tentativë për manipulim të opinionit publik.
Në një prononcim për media, Tahiraj ka rikujtuar se kjo gjykatë është produkt i vetë Kuvendit të Kosovës, ndaj puna dhe vendimet e saj duhet të mbrohen nga çdo ndërhyrje e jashtme.
“Gjykata Speciale është gjykatë e Kosovës, e themeluar nga Kuvendi i Kosovës në bashkëpunim me miqtë tanë ndërkombëtarë. Ajo ka mandat të përcaktuar me ligj dhe drejtësia e saj duhet të zhvillohet e pavarur nga politika, nga presionet partiake dhe nga populizmi i rrugës”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, është koha që të ndalet manipulimi i masave, duke shtuar se tubimet në rrugë dhe ndërhyrjet nga faktorë të caktuar politikë nuk mund të jenë kurrsesi zgjidhje për dhënien e drejtësisë, e cila, sipas tij, bazohet vetëm te ligji dhe provat në sallën e gjyqit.
Duke vijuar më tej, Tahiraj u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos bien pre e shfrytëzimit si instrumente presioni për llogari të agjendave personale apo grupore, ndërsa ka theksuar se të gjithë të dyshuarit apo të akuzuarit duhet të përballen me drejtësinë atje ku i takon.
“Mos e përdorni masën e painformuar si instrument presioni ndaj Gjykatës Speciale për interesa personale, grupore apo politike! Lëreni Gjykatën Speciale ta bëjë punën e saj! Ata që janë të akuzuar dhe të tjerët që janë të dyshuar për përgjegjësi individuale për krime, duhet të ballafaqohen me drejtësinë dhe betejën e tyre ta zhvillojnë aty ku vendoset drejtësia: në sallën e gjyqit”, ka theksuar publicisti.
Ai ka vënë në pah se Ushtria Çlirimtare e Kosovës gëzon një vend të nderuar për të gjithë shqiptarët dhe sakrifica e saj nuk duhet të keqpërdoret si mburojë për t'i ikur përgjegjësisë personale, duke shtuar se mbrojtja e vlerave të UÇK-së nuk nënkupton bllokimin e drejtësisë apo kërkimin e imunitetit për individë të veçantë.
Në lidhje me veprat penale të pretenduara, Tahiraj ka qenë i prerë se përgjegjësia mbetet gjithmonë individuale dhe nuk guxon të vishet padrejtësisht me emrin e UÇK-së.
“Krimi, nëse është kryer, ka përgjegjës individualë. Përgjegjësia individuale nuk mund të fshihet pas emrit të UÇK-së. Mos e manipuloni popullin me emocione, me simbole të luftës dhe me emrin e shenjtë të UÇK-së për interesa politike apo personale”, ka pohuar ai, duke shtuar se pafajësia dëshmohet vetëm në institucionet e drejtësisë.
Në fund të prononcimit të tij, Tahiraj ka përsëritur thirrjen për qetësi, respektim të ligjit dhe shmangie të presioneve populiste ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe vendase.
“Prandaj, lëreni Gjykatën Speciale të punojë pa presione populiste dhe politike. Respektoni institucionet e drejtësisë dhe lejoni që proceset gjyqësore të përfundojnë në përputhje me ligjin. Betejat për drejtësi zhvillohen në Hagë, jo në rrugë! Finalja e drejtësisë vendoset në gjykatë, e jo në turmat e rrugës!”, ka përfunduar ai.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: