Aktuale
Tasholli në shesh: UÇK-ja na bashkon, liria nuk njeh ngjyra partiake
Reklamë e Sponsorizuar
Përfaqësuesi i platformës “Liria Ka Emër”, Ismail Tasholli, ka adresuar një fjalim para qytetarëve të mbledhur në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se tubimi nuk ka prapavijë politike.
Duke iu drejtuar masës në shesh, Tasholli u shpreh se qytetarët janë bashkuar për një qëllim të lartë, duke nënvizuar se idealet kombëtare dhe sakrifica për liri i përkasin të gjithëve.
“Jemi mbledhur këtu me një sebep të madh, jemi mbledhur këtu për UÇK-në. Jemi bërë bashkë për të çuar një mesazh shumë të rëndësishëm. Nuk jemi bërë bashkë për shkak të partive politike, sot jemi bërë bashkë për ju, sepse varri i dëshmorit nuk ka parti politike dhe liria nuk ka parti politike”, u shpreh ai.
Gjatë fjalës së tij, ai vuri theksin te domosdoshmëria e mbrojtjes së vlerave të luftës, të cilën e cilësoi si përpjekjen më të pastër për paqe.
“Përse sot dua të flas për Evropën, sot dua të flas për Kosovën, për atë se kush jemi dhe çka duam që të mbrojmë luftën tonë që ishte lufta për paqe, që ishte lufta më e pastër që mbahet mend. Brezat kanë edhe zë, po kanë edhe përgjegjësi për me krijuar idenë e rrugëtimit tonë të pashmangshëm. Dua të ndaj me ju një rrëfim që e tregojnë bashkëluftëtarët e Adem Jasharit. Kur e kanë pyetë se ku i keni zënien me fituar luftën, një përgjigje e ka pasur: “Ndoshta dua t’i shoh varrezat e dëshmorëve që gjeneratat që vijnë të shohin që dikush ka luftuar për liri. Dhe këtë amanet të luftëtarit dhe këtë amanet të UÇK-së, brezat e rinj duhet ta ruajnë si identitet të tyre. Si identitet të qëllimit tonë, të shtetit tonë dhe të fuqisë tonë kur jemi bashkë dhe kur secili secilit ia zgjat dorën për krejt ato çka duhet bërë që ta ruajmë Republikën”, shtoi Tasholli.
Në vijim, ai përmendi rolin e rinisë dhe rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike përmes kësaj proteste.
“Sot brezat e rinj, ashtu siç i quajti edhe Cami, sot gjithë këtu në shesh të Prishtinës jeni luftëtarë të drejtësisë. Sot jemi këtu për të thënë që nuk harrojmë. Jemi këtu për të kujtuar sakrificën, mundin, gjakun. Jemi këtu që t’i themi njëherë e mirë secilit: UÇK-ja na bashkon, UÇK-ja është kauza jonë më e ndritshme e rrugëtimit dhe e caktimit tonë për liri. Dhe njëherë ju themi për fund: Jo në emrin tonë, kurrë”, përfundoi fjalimin e tij Tasholli.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: