Kronikë
Skandali 15-milionësh i ujit: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj Naser Hafizit
Reklamë e Sponsorizuar
Prokuroria Speciale e Kosovës ka zyrtarizuar aktakuzën ndaj Naser Hafizit, në kuadër të hetimeve për aferën e madhe korruptive me kompanitë ambalazhuese të ujit. Krahas Hafizit, një aktakuzë e veçantë është ngritur edhe ndaj Izedin Bytyqit për veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Sipas dokumentit të akuzës, gjatë periudhës 2021-2023, në cilësinë e personit zyrtar në Ministrinë e Mjedisit, Hafizi dyshohet se ka shkelur kompetencat ligjore dhe ka shmangur detyrat e tij, me qëllim që bizneseve të caktuara të ambalazhimit të ujit t'u sigurojë përfitime të paligjshme financiare. Kjo sjellje, sipas organit të akuzës, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm kolosal prej 15.752.486,07 eurosh.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri nuk i ka dërguar të gjithë operatorët ekonomikë për vlerësim pranë Grupit Punues Ministror. Pas pranimit të raportit nga ky grup, Hafizi dyshohet se i ka ndarë operatorët në tri grupe me qëllim favorizimi, duke lejuar që detyrimet e tyre financiare të llogariteshin mbështetur vetëm në deklarimet e tyre të pashqyrtuara dhe të paverifikuara.
Naser Hafizi akuzohet për disa vepra të rënda penale, duke përfshirë “keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar”, “shpëlarjen e parave” dhe “mosraportimin ose raportimin e rremë të pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër materiale ose të detyrimeve financiare”. Ky rast hetimor kishte përfshirë në pyetje edhe ish-ministrin Liburn Aliu, i cili ishte intervistuar në gusht të vitit 2026.
Sipas hetimeve paraprake dhe dyshimeve të ngritura, Liburn Aliu, në cilësinë e ministrit, së bashku me Naser Hafizin, në atë kohë zëvendësdrejtor i Autoritetit Rajonal të Baseneve Lumore, dyshohet se u kishin falur në mënyrë të paligjshme borxhe milionëshe kompanive të ujit. Prokuroria vlerëson se përmes uljes artificiale të borxheve të këtyre kompanive në vetëm disa mijëra euro, është synuar përfitimi pasuror i paligjshëm.
Kjo çështje kishte shtyrë organet e drejtësisë që gjatë vitit 2024 të ndërmerrnin një aksion bastisjeje, ku u arrestuan Naser Hafizi dhe ish-sekretari i ministrisë, Izedin Bytyqi, ndërsa hetimet u zgjeruan më vonë edhe ndaj ish-ministrit Liburn Aliu.
Pas intervistimit të tij në cilësinë e të dyshuarit më 5 gusht, ish-ministri Liburn Aliu kishte deklaruar publikisht pafajësinë e tij. “Pata mundësinë me e sqaru se për të gjithë periudhën sa kam qenë ministër, kam vepru në përputhje me ligjin dhe sipas rekomandimeve të Auditorit. Nuk ka asnjë vendim që mundet me më ndërlidh mu me këtë proces. Për pretendimin për mosveprim i tërë rasti ka qenë i Audituar nga Zyra Kombëtare e Auditorit dhe ka pasur rekomandime e është vepru në bazë të tyre”, pati thënë Aliu.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: