Kronikë
Skandali financiar/ Reagon Mustafa Sandal pas urdhër-arrestit për bashkëshorten 19 vite më të re: Kjo është e vërteta
Reklamë e Sponsorizuar
Këngëtari i njohur turk, Mustafa Sandal, ka thyer heshtjen gjatë një koncerti në Ankara, vetëm pak kohë pasi u lëshua urdhër-arresti për bashkëshorten e tij, Melis Sutsurup, dhe babanë e saj, Cihan Sutsurup, të cilët po përballen me hetime lidhur me transaksionet në tregun e kapitalit.
Para qindra fansave të pranishëm, artisti i njohur refuzoi me forcë çdo pretendim se ai vetë mund të jetë përfshirë në tregtimin e fondeve të investimeve. Ai insistoi se e gjithë pasuria dhe të ardhurat e tij përgjatë tri dekadave të fundit vijnë ekskluzivisht nga arti.
"Nuk kam blerë ose shitur fonde në asnjë mënyrë, as nuk kam qenë i përfshirë në ndonjë fond. Po jua them këtë duke ju parë në sy", u deklarua ai nga skena, duke shtuar se muzika mbetet e vetmja shtyllë ekonomike e jetës së tij prej 33 vitesh.
Më herët, kur lajmet për nisjen e hetimeve pushtuan mediat vendase, Sandal kishte lëshuar një reagim zyrtar duke sqaruar se nuk ka asnjë bashkëpunim apo lidhje financiare me bashkëshorten e tij, përtej lidhjes sentimentale dhe martesore.
"Unë dhe Melis, përveçse jemi bashkëshortë, nuk kemi pasur kurrë një biznes të përbashkët në kuptimin material. Kam qenë në industrinë e muzikës për 32 vjet dhe nuk kam asnjë punë, aktivitet apo të ardhur tjetër", pati deklaruar ai në atë periudhë.
Hetimet e autoriteteve turke nisën pasi u lëshua urdhër-arresti për Melis Sütşurup dhe Cihan Sütşurup, në kuadër të verifikimeve mbi operacionet në tregun e kapitalit. Sipas raportimeve, gjatë periudhës 1 korrik - 16 shtator, Melis dyshohet se ka tërhequr 11.126 miliardë lira turke nga fondet, akuza të cilat ajo dhe mbrojtësi i saj ligjor i hodhën poshtë kategorikisht.
Aktualisht, Melis ndodhet në Dubai dhe nuk është kthyer në Turqi. Përfaqësuesi i saj ligjor ka sqaruar se udhëtimi i saj drejt Emirateve të Bashkuara Arabe lidhet vetëm me edukimin e fëmijës, ndërsa transaksionet ndërkombëtare përfaqësojnë pagesa të rregullta për blerje pronash dhe nuk kanë asnjë lidhje me pastrimin e parave.
Mustafa Sandal dhe Melis Sutsurup janë kurorëzuar në martesë në vitin 2022. Më parë, kantautori turk ka qenë i martuar me këngëtaren e njohur Emina Jahović, me të cilën ka dy djem.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: