Politikë
Gjeloshaj: Mbështeta “Modelin Euro”, paga minimale në Mal të Zi pritet të arrijë deri në 1400 euro
Reklamë e Sponsorizuar
Zëvendëskryeministri për politikën ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, ka bërë të ditur se gjatë seancës qeveritare ka dhënë mbështetjen e tij për “Modelin Euro”. Ky projekt, i prezantuar nga kryeministri Milojko Spajiq, synon ngritjen e pagës minimale nga 1000 në 1400 euro duke filluar nga muaji janar i vitit 2027.
Në bindjen e Gjeloshaj, ky plan ekonomik do të shërbejë si një shtysë e fuqishme për përparimin e tregut dhe do të nxisë dinamikën e përgjithshme ekonomike të vendit.
“Jam i vetëdijshëm se ekonomia dhe sektori privat mund të kenë paqartësi, por jam i bindur se ato do të kapërcehen gjatë muajve në vijim. Duke qenë vetë sipërmarrës dhe pronar i një biznesi, kam bërë llogaritë e mia dhe vitin e ardhshëm do të ndaj 45 mijë euro shtesë nga fitimet për stafin tim. Këtë e vlerësoj si një investim direkt te njerëzit dhe te vetë ndërmarrja”, u shpreh ai.
Sipas kalkikimeve të paraqitura nga ai, nisma e njohur si “Modeli Euro” pritet të injektojë në tregun malazez një vlerë shtesë mes 700 milionë dhe një miliard eurosh, fonde këto që do të qarkullojnë në sektorët e tregtisë, prodhimit dhe turizmit.
“Nuk duhet të frikësohemi nga nismat inovative. Unë e shoh ‘Modelin Euro’ si një investim afatgjatë. E dhashë votën time për një standard më të lartë jetese për qytetarët, pavarësisht sfidave dhe kostove më të larta që do të kenë bizneset”, theksoi Gjeloshaj.
Madje, ai shtoi se është thelbësore që shteti të rrisë subvencionet e pakthyeshme për sipërmarrjet, në mënyrë që kompanitë të kenë hapësirën e nevojshme për të zgjeruar veprimtarinë dhe kapacitetet e tyre prodhuese.
Sa i përket stabilitetit afatgjatë të Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor, ministri Gjeloshaj siguroi se institucioni gëzon mbështetjen e plotë të shtetit, ndërsa buxheti i vendit mbetet garancia kryesore për funksionimin e tij të rregullt.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: