Sport
UEFA i beson drejtimin e ndeshjes Izrael-Kosovë gjyqtarit rumun Radu Petrescu
Reklamë e Sponsorizuar
Shtëpia evropiane e futbollit, UEFA, i ka besuar gjyqtarit rumun Radu Petrescu menaxhimin e sfidës ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, e cila do të luhet të enjten, duke filluar nga ora 20:45, në “Nagyerdei Stadium” të Debrecenit.
Arbitri nga Rumania gëzon një përvojë të gjatë në arenën ndërkombëtare, ku mbajtur stemën e FIFA-s që nga viti 2012, ndërsa gjatë karrierës së tij ka ndarë drejtësinë edhe në ndeshje të rëndësishme të fazës së grupeve në Ligën e Kampionëve.
Megjithatë, ky delegim në Ligën e Kombeve vjen në një moment mjaft delikat për 43-vjeçarin, i cili së fundmi është përfshirë në disa situata të tensionuara dhe zhvillime jo pozitive brenda kampionatit rumun.
Gjatë muajit shtator, Komisioni Qendror i Gjyqtarëve të Rumanisë ndërmori hapin për të mos e përfshirë Petrescun në listën e gjyqtarëve të FIFA-s për vitin 2027, duke i propozuar në vend të tij Catalin Roman. Kjo listë e re mbetet të miratohet zyrtarisht nga FIFA në dhjetor dhe do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Këto lëvizje vijnë si pasojë e një serie sfidash për Petrescun gjatë këtij viti. Më konkretisht, në korrik, ai dështoi të kalonte testet fizike para nisjes së edicionit të ri në Superligën rumune, ngjarje në të cilën u përfshi edhe Andrei Chivulete.
Megjithatë, incidenti më i bujshëm i muajve të fundit mbetet ai i regjistruar sezonin e kaluar në përballjen mes Petrolulit dhe FC Argeș.
Kur rezultati ishte i barabartë 1-1, Petrescu ndërpreu një aksion premtues të FC Argeș përpara se skuadra nga Pitești të realizonte gol, duke akorduar një faull në sulm. Pamjet televizive dëshmuan se nuk bëhej fjalë për një ndërhyrje të parregullt, por për shkak se bilbili kishte rënë para se topi të prekte rrjetën, sistemi VAR ishte i pafuqishëm për të ndërhyrë, ndërsa duel u mbyll me fitoren 2-1 të Petrolulit.
Për shkak të këtij rasti, Komisioni Qendror i Gjyqtarëve e dënoi Petrescun me një pezullim prej 12 ndeshjesh, ndonëse ai u rikthye në delegime pas 10 takimesh.
Pavarësisht trazirave në futbollin vendas, UEFA ka vazhduar të ruajë besimin tek ai për ndeshjet ndërkombëtare, duke e caktuar në gusht edhe në krye të ndeshjes “play-off” të Ligës së Konferencës mes Motherwell dhe Freiburg.
Në përballjen e radhës mes Izraelit dhe Kosovës, Petrescu do të asistohet nga bashkëkombësit e tij Radu Ghinguleac dhe Cosmin Bojan.
Ndërkohë, rolin e gjyqtarit të katërt do t'a ketë Florin Andrei, kurse në dhomën e VAR-it do të vendosin Catalin Popa dhe Ovidiu Hategan.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: