Aktuale
Shqipëria regjistron rastin e parë me malarie, pacienti po trajtohet në Spitalin Infektiv
Reklamë e Sponsorizuar
Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë konfirmuar zyrtarisht shfaqjen e një rasti me malarie. Bëhet fjalë për një shtetas të huaj, i cili, pasi është diagnostikuar me këtë sëmundje, është vendosur nën mbikëqyrje të rreptë dhe izolim në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive.
Pacienti po i nënshtrohet protokolleve mjekësore të nevojshme nën kujdesin e stafit specialist. Ndërkaq, burime bëjnë me dije se po hetohet edhe një rast tjetër i dyshuar, megjithatë deri në këtë moment nuk ka ende një konfirmim zyrtar për të.
Ky rast ka rikthyer vëmendjen te kjo sëmundje infektive, e cila prej dekadash nuk rezulton të jetë endemike në territorin shqiptar. Sipas informacioneve nga Instituti i Shëndetit Publik, rastet e evidentuara në vendin tonë kanë qenë përherë të karakterit të importuar, të lidhura kryesisht me individë që kanë udhëtuar drejt vendeve ku malaria është e përhapur.
Malaria, e cila transmetohet përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, shfaqet me simptoma si temperaturë e lartë, të dridhura dhe dhimbje koke. Mjekët theksojnë se trajtimi i menjëhershëm është vendimtar, pasi neglizhenca mund të çojë në komplikacione serioze për shëndetin.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: