Kronikë
Konfirmohet paraburgimi për dy shqiptarët e arrestuar në Itali, policia vazhdon kërkimet për të tretin që u arratis
Reklamë e Sponsorizuar
Gjykata në Itali ka konfirmuar masën e paraburgimit për dy shtetasit shqiptarë, Leo Toma, 34 vjeç, dhe Arlindi Tomaj, 22 vjeç, të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në vjedhje të banesave në zonën e Osimos.
Pesë ditë pas aksionit të zhvilluar nga Karabinierët në një bujtinë (B&B) në rrugën Soderini, Prokuroria ka vendosur që dy të arrestuarit të mbeten në burg, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e personit të tretë, i cili arriti t’u ikë forcave të rendit.
Siç raporton mediumi italian“Osimo Oggi”, dy shqiptarët u arrestuan pas një operacioni të organizuar nga Njësia Operative dhe Radiomobile e Karabinierëve, e cila kishte ndjekur për disa orë lëvizjet e një automjeti të dyshimtë.
Hetuesit arritën të gjurmonin veturën përmes kamerave të njohjes automatike të targave (OCR), të vendosura në komunat përreth. Pas ndjekjes në zonën mes rrugës San Giovanni dhe Brecce Bianche, forcat e rendit ndërhynë pranë një bujtine në zonën rurale mes San Biagios dhe Offagnas.
Megjithatë, operacioni nuk përfundoi me arrestimin e të gjithë personave të dyshuar. Sipas raportimit, personi i tretë, i cili ndodhej në timonin e veturës së marrë me qira, arriti të largohej pas një përleshjeje fizike me Karabinierët.
Ai kishte përfituar nga errësira dhe moti me shi për t’u larguar nëpër fusha, në drejtim të luginës së lumit Aspio. Më pas, dyshohet se kishte vjedhur një veturë të parkuar për të vazhduar arratisjen.
Ndërkohë, Karabinierët po vazhdojnë hetimet dhe kërkimet për kapjen e tij, duke shqyrtuar edhe pistat për persona që mund ta kenë ndihmuar të fshihet.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 2 mijë e 810 euro para të gatshme, ari dhe stoli, të cilat, sipas mediumit italian, u janë kthyer pronarëve të ligjshëm. Po ashtu, janë konfiskuar edhe mjete që dyshohet se përdoreshin për hapjen e kasafortave.
“Osimo Oggi” raporton se operacioni ka parandaluar vazhdimin e aktivitetit të dyshuar kriminal, ndërsa autoritetet po synojnë të arrestojnë edhe personin e tretë për të përmbyllur hetimet ndaj grupit.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: