Politikë
Saranda Ramaj kritikon angazhimin e Gazmend Halilajt si këshilltar të Donika Gërvallës: Përmend rastin e vajzës nga Drenasi
Reklamë e Sponsorizuar
Publikuar më:
Saranda Ramaj ka kritikuar vendimin për angazhimin e avokatit Gazmend Halilaj si këshilltar-ekspert të jashtëm të ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla.
Në një postim në Facebook, Ramaj ka ngritur shqetësime lidhur me të kaluarën juridike të Halilajt, duke rikujtuar rastin e vajzës nga Drenasi, në të cilin ai ishte përfshirë fillimisht si avokat i arsimtarit të akuzuar për keqpërdorim seksual të një 17-vjeçareje.
Sipas Ramajt, Prokuroria, në aktakuzën ndaj Halilajt, kishte përfshirë pretendimet se ai kishte ndikuar te vajza për ta ndryshuar deklaratën e dhënë në Polici kundër arsimtarit, i cili në atë kohë ishte klient i tij.
Ajo ka rikujtuar se më 11 janar 2018, vajza e kishte tërhequr deklaratën, ndërsa më vonë Halilaj ishte bërë avokat i vetë saj.
Ramaj ka theksuar se Halilaj ishte akuzuar edhe për frikësim gjatë procedurës penale, por ka bërë të qartë se pretendimet e Prokurorisë nuk mund të konsiderohen fakte të vërtetuara, pasi ai është liruar nga akuzat.
Në reagimin e saj, ajo ka rikujtuar edhe procesin gjyqësor ndaj Halilajt dhe ish-policit Vesel Veseli, të cilët ishin dënuar dy herë nga Gjykata Themelore, në gjykimin fillestar dhe në rigjykim, por më pas ishin liruar nga Gjykata e Apelit.
Sipas shpjegimit të Ramajt, Prokuroria i kishte akuzuar ata për keqpërdorim seksual të pozitës, autoritetit apo profesionit, sipas nenit 239 të Kodit Penal të vitit 2012. Ajo ka vënë në pah se ndryshimet në Kodin Penal të vitit 2019 dhe zbatimi i ligjit më të favorshëm kishin qenë, ndër të tjera, vendimtare në lirimin e tyre.
Ramaj ka krahasuar angazhimin e Halilajt me një angazhim hipotetik të ish-policit Vesel Veseli si këshilltar i ministrit Xhelal Sveçla, duke sqaruar se ky i fundit nuk është këshilltar i ministrit.
Në fund të reagimit, gazetarja i ka drejtuar pyetje ministres Gërvalla lidhur me kriteret që janë marrë parasysh për angazhimin e Halilajt, veçanërisht duke pasur parasysh pretendimet që Prokuroria kishte përfshirë në aktakuzën ndaj tij.
Ajo ka ngritur gjithashtu çështjen se si ky angazhim mund të ndikojë në raportet e ministres me organizatat dhe aktivistët që prej vitesh angazhohen për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: