Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Politikë

“Projektligji është mbi tavolinë, çfarë po prisni?” – Thirrja e ashpër e Çlirim Hazirit drejtuar Albin Kurtit

Redaksia Lajmetereja • 29-09-2026 20:01
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
“Projektligji është mbi tavolinë, çfarë po prisni?” – Thirrja e ashpër e Çlirim Hazirit drejtuar Albin Kurtit
Organizatori i tubimit “Jo në emrin tim”, Çlirim Haziri, i ka bërë thirrje kryeministrit Albin Kurti që ekzekutivi ta përcjellë në Kuvend nismën ligjore për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Gjatë natës së 14-të të protestës, ai theksoi se miratimi i deklaratës nga 99 ligjvënës nuk mjafton për t'i dhënë fund kërkesave të qytetarëve, nëse ajo nuk shoqërohet me ndryshime konkrete ligjore. Fjalimin e tij, Haziri e nisi duke u shprehur mirënjohje qytetarëve që, pavarësisht dy javëve të plota, vazhdojnë të mblidhen çdo mbrëmje në shesh. “E di që pas një dite të gjatë, me hallet e punës, me fëmijët, me përditshmërinë dhe barrën që e ka secili prej nesh, më e lehta do të ishte të rrinim në shtëpi. Por ja ku jemi! Prapë bashkë. Prapë këtu. Duke lënë çdo rehati e çdo interes personal anash për t’i dalë zot dinjitetit të këtij vendi”, u shpreh ai. Sipas tij, protesta jo vetëm që nuk po zbehet, por energjia e saj po rritet çdo ditë. “Vetëm shikojeni njëri-tjetrin në sy: këtu nuk ka plogështi! Në këtë shesh ka vetëm një gjë që po zien çdo ditë e më shumë: këtu po soset durimi! Nuk po rritet lodhja, por po soset durimi”, shtoi Haziri. Duke iu referuar dokumentit të votuar në Kuvend, ai theksoi se tashmë ka marrë fund koha e shmangies së përgjegjësisë institucionale. “Deri dje luanin ping-pong me përgjegjësinë shtetërore. Na shisnin mjegull e na thoshin: ‘Prisni Kuvendin, se pa folur Kuvendi nuk mund të bëjmë asgjë’. Epo Kuvendi e bëri lëvizjen e vet. 99 deputetë të të gjitha partive e votuan atë deklaratën e famshme”, u shpreh ai. Megjithatë, ai e cilësoi këtë deklaratë si të pamjaftueshme pa hapa konkretë legjislativë. “Janë fjalë të radhitura bukur në një letër sa për të thënë: ‘Ja, ne e bëmë tonën, lajini duart’. Zero pasoja juridike. Zero! Kjo deklaratë, pa ligjin prapa saj, është fiks me na ushqy me lugë të thatched”, deklaroi Haziri. “Kosova nuk është kullë e ndërtuar me letra. Kosova është kullë e mundit, djersës, sakrificës e gjakut. Kulla mbahet me vepra, e shteti mbahet me ligje! Jo me deklarata”, shtoi ai. Më tej, organizatori kërkoi nga deputetët që mbështetjen e dhënë në letër ta konfirmojnë edhe në momentin e votimit të projektligjit. “Nëse dje 99 duar u ngritën aq kollaj për një letër që askujt nuk ia prish terezinë, sa nga ato duar do të ngrihen kur ligji të vijë në rend të ditës? A do t’u dridhet dora atëherë, vai do të fshihen nën tavolinë?”, pyeti ai. Haziri bëri të ditur se fokusi i protestuesve tashmë është te Qeveria, ku sipas tij gjendet projektligji, duke shtuar se për momentin nuk po e akuzojnë ekzekutivin për bllokim, por janë në pritje të veprimeve. “Ne nuk po dalim sonte të bërtasim e të themi se e keni bllokuar e që nuk po doni ta votoni. Kjo mbetet të shihet. Ne po presim. Nuk kemi dhënë verdikt. Jemi duke ju matë”, u shpreh ai. Në fund, ai iu drejtua drejtpërdrejt kryeministrit Albin Kurti: “Kryeministër, në atë tavolinë ti nuk e ke thjesht një projektligj! Nuk është udhëzim i rëndomtë administrativ. Nuk është rregullore e zakonshme. Atë që keni mbi tavolinë është dinjiteti i këtij shteti!” Duke paralajmëruar një pjesëmarrje edhe më të madhe në protestën e 1 tetorit, Haziri përfundoi: “Ne kemi trokitur me fjalë. Kemi pritur me durim. Por durimi, vëllezër dhe motra, ka arritur në kufi! Nëse mendoni se kjo revoltë mbyllet me një deklaratë fasadë, mbajeni mend mirë: Më 1 tetor, do ta kuptoni se çfarë force mban ky shesh!” “Më 1 tetor, zëri ynë nuk do të jetë më pritje — do të jetë lum njerëzish, një vërshim i vërtetë, një uragan i pandalshëm i këtij populli! Zgjidhja është në tavolinën tuaj. Veproni sa nuk është vonë!”
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar