Politikë
Debat i ashpër në Kuvend: Berisha sulmon mazhorancën për buxhetin, kundërpërgjigjet Rama
Reklamë e Sponsorizuar
Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është shoqëruar me tensione të larta dhe akuza të ndërsjella mes kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe kabinetit qeverisës, gjatë diskutimeve për çështjet ekonomike.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka quajtur mazhorancën me epitetin “Banda e Lalzit”, duke deklaruar se ajo ka humbur çdo legjitimitet për të shqyrtuar apo miratuar buxhetin e shtetit. Sipas tij, qeveria aktuale ka dalë nga zgjedhje të manipuluara dhe nuk përfaqëson më interesat e qytetarëve shqiptarë.
“Banda e Lalzit, çdo gjë mund t’u dukeni shqiptarëve, vetëm zyrtarë nuk iu dukeni më. Nuk keni asnjë të drejtë të merreni me buxhet ju, nuk keni legjitimitet, keni dalë nga zgjedhje të plaçkitura dhe keni mbrojtur korrupsionin,” u shpreh ndër të tjera ish-kryeministri nga foltorja e Parlamentit.
Duke iu referuar shifrave ekonomike, Berisha ngriti shqetësimin se buxheti i ri përfaqëson vetëm rritje të vjedhjeve dhe taksave. Ai përmendi të dhënat e Eurostatit, duke theksuar se ndonëse të ardhurat figurojnë të rritura, varfëria në vend po thellohet, ndërsa qytetarët përballen me çmime që arrijnë deri në 110% të mesatares europiane për shkak të politikave të kartelave.
Në fund të fjalës së kreut të opozitës, ndërsa Berisha paralajmëroi mazhorancën se do të largohet nga pushteti, nga vendi ka reaguar kryeministri Edi Rama. Ky i fundit iu drejtua me fjalët: “Sali, po të bien pantallonat, ik tani”.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: