Aktuale
“Nuk ju bën nder as juve, as Mbretërisë së Bashkuar” – Reagimi i ashpër i Altin Krasniqit ndaj diplomatit britanik
Reklamë e Sponsorizuar
Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit dhe njërit prej figurave kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është kundërpërgjigjur hapur ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, lidhur me qëndrimin e këtij të fundit se ish-krerët e UÇK-së janë dënuar në bazë të përgjegjësisë individuale.
Përmes një komenti publik në rrjetet sociale, Krasniqi kërkoi nga diplomati britanik një shqyrtim më rigoroz të fakteve para se të dalë me deklarata të tilla publike, duke hedhur poshtë interpretimin se vendimi i Gjykatës Speciale ka të bëjë vetëm me veprime të shkëputura individuale.
Ai ngriti dilema serioze se si mund të flitet për përgjegjësi të tillë, kur sipas tij, dënimet ndaj të akuzuarve janë dhënë pikërisht për shkak të funksioneve dhe pozicioneve të tyre si udhëheqës politikë të organizatës ushtarake.
Duke evokuar të kaluarën dhe kontributin e Londrës zyrtare gjatë luftës, Krasniqi kujtoi se qëllimi kryesor i UÇK-së ka qenë çlirimi dhe pavarësia e vendit, proces në të cilin Britania e Madhe kishte dhënë mbështetjen e saj në bashkëpunim me luftëtarët kosovarë.
“Do të vlerësohej shumë nëse faktet do të verifikoheshin me më shumë kujdes para se të bëheshin deklarata të tilla publike,” ka theksuar ai në reagimin e tij.
Sipas Krasniqit, përmbledhja zyrtare e aktgjykimit nuk e provon pretendimin për fajësi të bazuar vetëm në akte individuale, por tregon se të pandehurit u ndëshkuan për shkak të udhëheqjes politike të UÇK-së, e cila dikur bashkëpunoi ngushtë me shtetin britanik për lirinë e Kosovës.
Në përmbyllje të reagimit të tij, ndërsa shprehu falënderimet e sinqerta për ndihmën historike që Britania e Madhe i ka ofruar popullit të Kosovës, ai përsëriti thirrjen për kujdes institucional ndaj të vërtetave të luftës.
“Deklaratat e kësaj natyre nuk i bëjnë nder as jush dhe as vendit që përfaqësoni, të cilit populli i Kosovës i mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e dhënë,” përfundoi Krasniqi.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: