Aktuale
Reflektim mbi të kaluarën: A po rikthehet nevoja për frymën e Anton Qetës në Kosovën e sotme?
Reklamë e Sponsorizuar
Gjatë periudhës më të errët të fundit të shekullit të kaluar, kur Kosova lëngonte nënn okupimin serb dhe popullata përballej me dhunë, segregacion e shkelje drastike të të drejtave themelore, në skenë u ngrit intelektuali dhe veprimtari i shquar i pajtimit të gjaqeve, profesor doktor Anton Qeta, si mbështetës i fuqishëm i lëvizjes së udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova. Në ato momente historike, vetëdija kombëtare u zgjua për t'i dhënë jetë kauzës së rezistencës paqësore ndaj regjimit të Serbisë, duke shënuar kështu njërën nga faqet më të ndritshme të historisë sonë, periudhë gjatë së cilës u falën me qindra mijëra gjaqe dhe hasmëri të trashëguara ndër vite.
Kontributin kryesor për këtë aksion mbarëkombëtar e dhanë intelektualët, profesorët, akademikët, klerikët fetarë, si dhe gjithë atdhetarët që u vunë në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtetformimit. Megjithatë, duke parë situatën aktuale pas 27 vitesh liri, lind një shqetësim i thellë se shoqëria po rrezikon të kthehet pikërisht te ajo kohë, për shkak të një polarizimi të rrezikshëm që po rihap plagë të vjetra e të panevojshme. Përhapja e shpifjeve, thashethemeve dhe tensioneve përmes hapësirës mediatike po cenon seriozisht stabilitetin e shtetit, ndërkohë që kjo mendësi prapanicë po depërton nga skena politike deri në strukturat më të thella të shoqërisë.
Askush nuk kishte parashikuar se në një Kosovë të lirë do të shfaqeshin dukuri kaq negative që nxisin urrejtje dhe rrezikojnë përplasje midis individëve apo grupeve me të kaluar të diskutueshme. Kësaj zjarri po i fryn një politikë e verbër, e udhëhequr nga individë të pangopur për pushtet dhe pasuri të paligjshme të krijuar në kurriz të qytetarëve, pasojat e së cilës do të rëndojnë edhe mbi familjet e tyre.
Sot, më shumë se kurrë, Kosova ka nevojë për qetësi, për narrativë konstruktive që nxit punën, motivimin dhe zhvillimin në çdo sektor, nga bujqësia e deri tek institucionet më të larta shkencore. Nëse vazhdohet me këtë avaz të përçarjes dhe urrejtjes së ndërsjellë, e ardhmja e shtetit tonë do të jetë në rrezik serioz.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: