Lajmetereja | --:-- | Kosovë & Rajoni
Sport

Skandali në Portin e Durrësit: Përgjimet e BKH-së zbulojnë lidhjet e Liburn Aliut me Vlora Hysenit dhe Ergys Agasin për favorizimin e trafiqeve

Redaksia Lajmetereja • 29-09-2026 18:41
Shpërndaj:
Reklamë e Sponsorizuar
Skandali në Portin e Durrësit: Përgjimet e BKH-së zbulojnë lidhjet e Liburn Aliut me Vlora Hysenit dhe Ergys Agasin për favorizimin e trafiqeve
Përgjimet e Byrosë Kombëtare e Hetimit (BKH) kanë hedhur dritë mbi një skandal të rëndë që përfshin drejtimin e Portit Detar të Durrësit, ku ish-ministri i Infrastrukturës në Qeverinë “Kurti 2”, Liburn Aliu, dyshohet se është vendosur në këtë detyrë si zgjedhje dhe rekrutim i Vlora Hysenit. Qëllimi i kësaj katapultimi në krye të portit ka qenë garantimi i vazhdimësisë së aferave korruptive dhe krijimi i lehtësive për trafiqet e paligjshme dhe kontrabandën. Sipas të dhënave nga dosja hetimore “Hyseni-Agasi”, në fillim të muajit nëntor 2025, vetëm një javë pas marrjes së detyrës, drejtori i ri i portit, Liburn Aliu, ka nisur kontakte intensive telefonike dhe fizike me ish-Drejtoren e SHISH-it, Vlora Hyseni, ish-Drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda, si dhe me “koordinatorin” Ergys Agasi. Edhe pse ligjërisht kreu i portit ka detyrim të bashkëpunojë me strukturat e sigurisë për goditjen e krimit, hetimet dëshmojnë një realitet krejtësisht ndryshe. Materialet e siguruara nga përgjimet telefonike dhe gjurmimet ambientale të kryera përgjatë 10 muajve, nga nëntori 2025 deri në gusht 2026 në Tiranë dhe Durrës, tregojnë se bisedat mes tyre nuk kishin aspak në fokus luftën kundër paligjshmërisë. Përkundrazi, objekti kryesor i komunikimeve ishte hapja e dyerve të Portit të Durrësit për të lejuar kalimin e lirë të trafiqeve të drogës dhe kontrabandës, duke shfrytëzuar shërbimet e kontrollit dhe sigurisë që ndodhen në varësi të drejtorit të portit. Në dosje përfshihen gjithashtu figura me funksione drejtuese në sektorë strategjikë, të cilët kanë favorizuar aktivitetet e paligjshme në dëm të interesave shtetërore. Gjatë bisedave janë përmendur emra biznesmenësh dhe individësh me dosje të rënda, të cilët rekomandoheshin për t'u lejuar të kalonin pa u kontrolluar. Për më tepër, ekzistojnë filmime dhe fotografi të takimeve me persona të skeduar e të penalizuar nga SPAK, Prokuroria e Durrësit dhe Policia e Durrësit, të cilat nuk janë regjistruar kurrë zyrtarisht nga strukturat e rendit apo SHISH-i. Një nga pikëpyetjet më të mëdha që ngrenë hetimet është baza ligjore mbi të cilën drejtori i portit ka ndarë çështje konfidenciale me Ergys Agasin, një person që nuk mban asnjë funksion zyrtar shtetëror dhe nuk ka asnjë tagër ligjor për informacione mbi veprimtarinë portuale. Dosja e BKH-së dokumenton qartësisht se si bisedat mes Agasit dhe Aliut shërbenin për t'i dhënë përparësi kompanive dhe individëve të inkriminuar, duke shkelur hapur funksionin institucional të portit më të rëndësishëm në vend.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm:
Privatësia dhe Cookies

Ne përdorim cookies dhe teknologji të palëve të treta (si Google AdSense) për të analizuar trafikun dhe për të personalizuar përmbajtjen dhe reklamat. Duke vazhduar navigimin, ju pranoni përdorimin e tyre. Lexoni më shumë në Politikën e Privatësisë.

Reklamë e Sponsorizuar