Kronikë
Aksident fatal në autostradën italiane: Humb jetën punëtori shqiptar gjatë orarit të punës
Reklamë e Sponsorizuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm autostradën italiane A18, në aksin Messina-Catania, ku një 64-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti tragjik në vendin e tij të punës.
Viktima, i identifikuar si Mehmeti Hashaim, banues në Marcianise të provincës së Caserta-s, ishte duke kryer detyrat e tij në një kantier mirëmbajtjeje kur u godit për vdekje nga një automjet. Aksidenti ndodhi rreth orës 09:00, në kilometrin 43.300 të autostradës, në afërsi të zonës së Taorminës dhe viaduktit Alcantara.
Sipas informacioneve paraprake, makina ka depërtuar brenda zonës së sinjalizuar të punimeve, duke e përplasur punëtorin me forcë. Dyshohet se drejtuesja e mjetit mund të ketë humbur kontrollin e automjetit për shkak të një manovre të papritur dhe të rrezikshme nga një tjetër shofer në rrugë.
Megjithëse gruaja që drejtonte mjetin ndaloi menjëherë për t’i ardhur në ndihmë 64-vjeçarit, goditja rezultoi fatale për jetën e tij. Për shkak të tronditjes së fortë nga ngjarja, drejtuesja e mjetit pësoi një gjendje të fikëti dhe u dërgua për trajtim mjekësor në spitalin e Giarres.
Autoritetet policore italiane kanë nisur një hetim të detajuar për të zbardhur dinamikën e plotë të kësaj tragjedie dhe për të përcaktuar shkaqet që çuan në këtë përplasje fatale.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: