Aktuale
Pensioni i 13-të AHV vjen në dhjetor: sa merrni dhe çfarë votohet më 29 nëntor
Reklamë e Sponsorizuar
Pensionistët në Zvicër do të marrin në dhjetor 2026, për herë të parë, pensionin e 13-të të sigurimit të pleqërisë AHV/AVS. Pagesa është e garantuar me ligj dhe nuk varet nga rezultati i votimit të 29 nëntorit, ku qytetarët vendosin vetëm se si do të financohet ajo.
Sipas Zyrës Federale për Sigurimet Shoqërore (BSV), pensionisti beqar merr deri në 2520 franga më shumë në vit, ndërsa çiftet e martuara deri në 3780 franga. Pensioni i 13-të paguhet një herë në vit, gjithmonë në dhjetor, bashkë me pensionin e rregullt të atij muaji.
Shuma shtesë nuk llogaritet në përfitimet e tjera sociale, si shtesat plotësuese. Pensionistët që jetojnë jashtë Zvicrës, përfshirë ata në Kosovë, mund të marrin informacion të saktë për rastin e tyre te Arka Zvicerane e Kompensimit (ZAS) në Gjenevë.
Për çfarë votohet më 29 nëntor?
Votuesit e miratuan pensionin e 13-të në mars të vitit 2024, por financimi mbeti i hapur. Parlamenti dhe Këshilli Federal propozojnë rritjen e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) me 0,4 pikë përqindjeje. TVSH-ja nuk do të rritej për disa mallra të përditshme, si ushqimet dhe barnat.
Pensioni i 13-të kushton mbi 4 miliardë franga vetëm në vitin 2026. Sipas BSV-së, rritja e TVSH-së mund të hyjë në fuqi më së hershmi në fillim të vitit 2028. Nga viti 2029 ajo do t'i sillte AHV-së rreth 1,4 miliardë franga në vit.
Për shkak se kërkon ndryshim të Kushtetutës, propozimi duhet të fitojë shumicën e votuesve dhe të kantoneve.
Sondazhi i parë i SRG-së, i realizuar nga instituti gfs.bern në tetor, tregoi një garë të ngushtë, me 49 për qind kundër rritjes së TVSH-së. Sondazhi i YouGov Schweiz e vendosi kundërshtimin në 51 për qind, kundrejt 39 për qind që e mbështesin.
SRG ka njoftuar se rezultatet e anketës së saj të radhës publikohen më 18 nëntor.
Thirrje që të pasurit të dhurojnë pensionin e 13-të
Ndërkohë, fondacioni zviceran "Chance 13" u bën thirrje pensionistëve që nuk kanë nevojë për paratë shtesë t'i dhurojnë ato për organizata bamirëse. Sipas fondacionit, kështu mund të mblidhen mbi një miliard franga në vit.
Votimi i 29 nëntorit përfshin edhe tri çështje të tjera federale: nismën për kufizimin e fishekzjarrëve, nismën e quajtur "e drejtësisë" (Fairness-Initiative) dhe ndryshimin e ligjit për materialet luftarake.
Reklamë e Sponsorizuar
Ky artikull është përgatitur dhe verifikuar nga redaksia e Lajmet e Reja. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Reklamë e Sponsorizuar
Shpërndaj këtë lajm: